Lajme

LDK refuzoi Kurtin/ Me kë do ta formojë Vetëvendosje Qeverinë e re?

04/08/2025 21:03
nga:G B

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar kreun e VV-së, Albin Kurti, për një takim para formimit të Qeverisë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se një takim i tillë, madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik.

“Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim”, shkroi Abdixhiku ndër të tjera në Facebook.

Në anën tjetër, sot Glauk Konjufca tha se presin që ta formojnë qeverinë me koalicion, ndërsa që Albulena Haxhiu tha se nëse nuk e formojnë qeverinë, do të shkojnë në zgjedhje të reja.

Lidhur me refuzimin e Abdixhikut ndaj Kurtit, ish diplomati Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, se refuzimi është i natyrshëm, marrë parasysh fyerjet e Kurtit ndaj tij.

“I natyrshëm reagimi i Abdixhikut duke marrë parasysh fyerjet e vazhdueshme dhe armiqësia që ka pasur Kurti me ta në vitet e fundit. Mos të harrojmë se Kurti e ka quajtur Abdixhikun njeri të Vuçiqit e tash po do që të takohet e të punojë bashkazi, siç thotë Agim Bahtiri, Kushtetuta e Kosovës është më e madhe se VV, Kurti e Haxhiu”, ka vlerësuar ai.

Sipas Arifit, nëse Kurti dështon ta krijojë qeverinë, mund ta bëjë opozita, nëse pajtohet për një marrëveshje.

“Në rast se Kurti dështon ta krijojë Qeverinë, opozita nëse e arrin një marrëveshje, mund ta marrë udhëheqjen e Qeverisë pa VV-në”, ka deklaruar Avni Arifi për Gazeta Blic.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani, thotë se të gjitha partitë duhet të diskutojnë, ndërsa që arritja e një marrëveshje është çështje tjetër.

“LDK dhe asnjë subjekt tjetër politik nuk duhet të refuzojë negocimin për themelimin e qeverisë, kjo është përgjegjësi kushtetuese, pa marrë parasysh sjelljet, fjalorin e përdorur në fushata, është përgjegjësi edhe kushtetuese edhe qytetare t’i përgjigjet ftesës, se a mund apo jo të arrijnë marrëveshje është çështje tjetër, por bojkoti është antikushtetues, Kushtetuta e shtetit këtë nuk e lejon, pra të gjitha partitë duhet të negociojnë”, potencon ai.

Sipas Burjanit, VV nuk mund ta formojë qeverinë, e as opozitës nuk i konvenon një qeveri që zgjat një vit.

“Nuk e besoj se VV e formon qeverinë, pasi që tash po dihet që opozitës nuk i konvenon asnjë partie të futet në koalicion e që pas një viti prapë të shkojnë në zgjedhje, pra vetëm të digjen dhe sakrifikohen për VV-në. NISMA nuk i jep votat që të formohet një qeveri e vogël, e dobët dhe e paaftë të qeverisë shtetin. Pazari i NISMA-s ishte i lartë dhe ishte taktik e politik, pra ata nuk hyjnë pa AAK-në në koalicion”, thekson ai për Gazeta Blic.

“Formimi i Qeverisë nga opozita varet nga negociatat apo diskutimet e presidentes me partitë politike, në rast se dy herë dështon VV ta formojë Qeverinë, atëherë aktivizohet presidentja që do të marrë së bashku me partitë një vendim ose themelim të qeverisë ose shkuarje në zgjedhje. Kjo pritet të shihet”, ka deklaruar Blerim Burjani./Gazeta Blic/

Abdixhiku refuzon Kurtin për takim: Mes ‘hajvanatit’ dhe ‘mbytjes së LDK-së’, nuk e gjejmë veten as për konsultim