Lajme

‘Replikat për tarifat amerikane’, Presidenca i kundërpërgjigjet ministrit Murati- E turpshme dhe skandaloze!

04/03/2025 22:31
nga:Y I

Menjëherë pasi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e ka kritikuar presidenten Osmani lidhur me kërkesën e saj për Qeverinë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë reaguar këshilltarët e presidentes, Bekim Kupina dhe Donika Kadaj.

Kupina përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Hekuran Murati është njeriu i fundit në këtë shtet që mund të na flasë për seriozitet.

“Një njeri që ende nuk e ka kuptuar që udhëheqja e shtetit është punë 24/7, e jo që përfundon në orën 16:00, një njeri që ende nuk e kupton që sipas Kushtetutës dhe komentarit të Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme i përcakton institucioni i Presidencës, që nuk e kupton që këto gjëra nuk janë thjesht veprime ekonomike, por veprime strategjike në raport me aleatin tonë strategjik e ekzistencial, një njeri që mendon se me fyerje e ofendime mund të arrijë diçka në interes të Kosovës, pas një letre institucionale e mirë të studiuar që Presidentja ia ka drejtuar Kryeministrit bazuar në rregullat e komunikimit shtetëror e mirësjelljes e respektit ndërinstitucional” ka shkruar Kupina.

Tutje Kupina është shprehur “E turpshme, skandaloze, me mungesë të respektit bazik institucional e me mungesë të njohurive bazike se si udhëhiqet shteti e mbi të gjitha me mungesë të gatishmërisë minimale që të punohet e bashkëpunohet në interes të Kosovës është deklarata e tij e sotme”.

“Hiqni tarifat e paarsyeshme ndaj aleatit tonë kryesor, e leni deklaratat e turpshme dhe fëmijërore”, ka shkruar ai.

Lidhur me deklaratën e ministrit Murati ka reaguar edhe këshilltarja tjetër e presidentes Osmani, Donika Kadaj, e cila ka thënë se “Ministri i Financave në detyrë qenka anku që Kryeministri ka marrë një shkresë nga Presidentja pas orarit të punës. Po qysh bre, a mbyllet Qeveria në ora 16:00? Kur osht puna për vendime të rëndësishme për shtetin, s’ka orar zyrtar”.

“Na paska njoftu edhe që prej 2023-ës e paska ‘shqyrtu’ këtë propozim. Paskemi prit boll atëherë! Ama për disa çështje paska kohë me shqyrtu sa të dojë, e për disa tjera s’po ngutët hiç. Për invalidët e luftës, për shembull, iu dasht me u marrë me buxhetin për proteza derisa njerëzit kanë mbet në shtrat, tuj prit për një shtraf… Qenka i shpejtë vetëm kur i konvenon!”, ka shkruar Kadaj në reagimin e saj.

 

Osmani kërkoi që t’i hiqet tarifa SHBA-së, Murati: Këto çështje trajtohen larg mediave!

Osmani kërkon nga Qeveria pezullimin e tarifave ndaj produkteve amerikane për të forcuar aleancën me SHBA-në