Sporti

Ishte i jashtëzakonshëm në fitoren ndaj Ukrainës, Gegaj: Duam histori dhe kualifikim në Kampionatin Europian

1 ditë më parë
nga:Mergim Rreci

Kosova ka arritur një fitore dramatike ndaj Ukrainës mbrëmë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të hendbollit “Euro 2026”.

“Dardanët” triumfuan me rezultat 31:30 në ndeshjen e zhvilluar të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Hendbollisti Leonard Gegaj ishte më efikasi me 9 gola, duke zhvilluar një paraqitje të jashtëzakonshme. Përveç golave të realizuar, ai ishte fantastik edhe me lojën e tij shumë kontribuese, duke mundësuar që edhe bashkëlojtarët e tij të kishin hapësira.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ai tha se është krenar me fitoren e arritur ndaj Ukrainës, kurse kjo fitore ishte dëshmi e qartë se Kosova po bëhet çdo ditë e më e fortë.

“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit në ndeshjen e mbrëmshme. Personalisht mendoj se shkoi mirë edhe për mua për shkak edhe të ndihmës dhe aspektit se sa të mirë në aspektin profesional janë bashkëlojtarët e mi. Ata e bëjnë lojën kaq të lehtë për t’u luajtur me mendjet e tyre të afta. Ukraina është një skuadër e vështirë për t’u mposhtur kështu që fitorja në atë lojë u tregoi të gjithëve se Kosova po zhvillohet çdo vit për t’u bërë një vend i fortë hendbolli në të ardhmen”, tha fillimisht Gegaj.

Tutje, ai tha se ëndrra për të luajtur në Kampionatin Europian është prezente dhe se do të mundohen të bëjnë histori me fanellën e Kosovës.

“Ëndrra për të luajtur në Kampionatin Europian të 2026 është ende gjallë dhe prezente. Kemi ende 3 ndeshje dhe nëse jemi mjaftueshëm të përgatitur për të luftuar në çdo ndeshje për të siguruar disa pikë, atëherë jemi në një pozicion të mirë për t’u kualifikuar dhe për të bërë histori për Kosovën dhe për të luajtur kampionatin tonë të parë Europian”, përfundoi Gegaj.

/GazteaBlic Sport/