Kanë kaluar pesë vjet që kur bota u përball me pandeminë e COVID-19, e cila ndryshoi rrënjësisht jetën e miliarda njerëzve dhe sfidoi sistemet shëndetësore në çdo cep të globit.
Virusi, i cili u shfaq në fund të vitit 2019 në Wuhan të Kinës, u përhap me shpejtësi, duke shkaktuar një krizë shëndetësore.
Në mars të vitit 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli COVID-19 si pandemi, duke detyruar shumicën e vendeve të vendosnin masa të rrepta kufizuese.
Kosova konfirmoi rastin e saj të parë me COVID-19 më 13 mars 2020, dhe menjëherë autoritetet vendosën masa të ashpra për të frenuar përhapjen e virusit.
Kufizimet në lëvizje, mbyllja e shkollave, ndalimi i grumbullimeve dhe ndërprerja e aktiviteteve ekonomike krijuan një situatë të panjohur për qytetarët. Sistemi shëndetësor, i cili tashmë përballej me sfida të shumta, u gjend nën një presion të madh për të trajtuar pacientët e infektuar dhe për të siguruar pajisjet mjekësore të nevojshme.
Gjatë pandemisë, Kosova ka regjistruar mbi 270 mijë raste të konfirmuara me COVID-19 dhe më shumë se 3,200 viktima. Numri real i të infektuarve dhe viktimave mund të jetë edhe më i lartë, duke marrë parasysh rastet e paidentifikuara.
Një nga sfidat më të mëdha gjatë pandemisë ishte procesi i vaksinimit.
Kosova filloi fushatën e vaksinimit në mars të vitit 2021, fillimisht me furnizime të kufizuara, duke u mbështetur në donacione dhe mekanizmat ndërkombëtarë si COVAX.
Deri në vitin 2023, vetëm rreth 60% e popullsisë kishte marrë të paktën një dozë të vaksinës.
Sot, pesë vjet pas fillimit të pandemisë, COVID-19 nuk është më një kërcënim, por pasojat e tij vazhdojnë të ndihen në shëndetin publik, ekonominë dhe jetën e përditshme.
Pandemia e COVID-19 mbetet një mësim i rëndësishëm për institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi, duke treguar nevojën për investime më të mëdha në shëndetësi dhe për një përgatitje më të mirë për emergjenca të ngjashme në të ardhmen./kp