Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij lidhur me çështjen e rezervave shtetërore.
Rashit Qalaj, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka kritikuar kryeministrin Kurti për mos paraqitjen e tij për dëshmi në Prokurorinë Speciale.
Qalaj në një intervistë për GazetaBlic, e ka cilësuar veprimin e Kurtit si një “goditje të madhe” për rendin dhe ligjin, duke theksuar se si qytetarë të Kosovës është detyra e secilit që të respektojë organet e drejtësisë, pa marrë parasysh pozitat që mbajnë.
“Është goditja më e madhe që i është bërë rendit dhe ligjit, mendoj që ne në radhë të parë jemi qytetarë të Kosovës dhe pastaj kemi disa pozicione që janë të përkohshme dhe mendoj që ne duhet të sillemi si qytetarë të këtij vendi. Kur ke një pozitë në shoqërinë tonë, kur ke një pozitë në këtë rast që e udhëheq shtetin e Kosovës, ke përgjegjësi shtesë, dhe është dashur që kryeministri Kurti t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë”, tha ai.
Ai ka theksuar se kryeministri, në vend që të respektonte thirrjet e Prokurorisë, ka vazhduar të mos i njeh ato, ku shton se ka dëshmuar që është po ai i vjetri i cili ka qenë në opozitë.
Sipas tij, Kurti ka treguar papërgjegjësi të lartë duke mos iu përgjigjur thirrjeve të drejtësisë.
“Kryeministri Kurti dëshmoi që ai është po ai i vjetri që ka qenë në opozitë, që atëherë nuk ka njohur institucionet e Kosovës, ndërsa tani në pozitën e kryeminsitrit prapë nuk po i njeh institucionet e Kosovës. Mendoj që është një papërgjegjësi e llojit të vet dhe mendoj që është një gabim i madh. Ne e kemi Prokurorinë që e kemi, dhe ne duhet t’i nënshtrohemi thirrjeve të cilat na vijnë nga organet e drejtësisë”, u shpreh ai.
Qalaj thotë se nuk ka ndonjë arsye që prokurori të shkojë në zyrën e kryeminsitrit, ku thekson se para ligjit jemi të gjithë të barabartë.
Ndër të tjera ai apeloi për respektimin e ligjit nga të gjithë, pa dallim pozite.
“Kushtetuta e Kosovës thotë qartë që organet e drejtësisë janë organe të pavarura, dhe këto nuk diskutohen. Nuk ka ndonjë arsye që prokurori të shkojë në zyrën e kryeministrit apo në zyrën e kujtdo qoftë, prapë po them para ligjit jemi të gjithë të barabartë dhe duhet t’i nënshtrohemi ligjit dhe askujt tjetër”, përfundoi ai për GazetaBlic.


