Skuadra kosovare, FC Suhareka ka demantuar lajmin se trajnerin Qendrim Kida e futbollisti Hysen Memolla kanë pasur përleshje fizike.
Mbrëmë, analisti i Tëvë1, Ramiz Shala ka potencuar se ka pasur përleshje mes trajnerit e lojtarit, por sipas FC Suharekës ky lajm është i pavërtetë, teksa kërkojnë falje publike, ose do ta padisin për shpifje.
Ja postimi:
“Demantim ndaj deklaratës së analistit Ramiz Shala në emisionin VAR në Tëvë 1
Klubi ynë demanton deklaratën e analistit Ramiz Shala, i cili ka pretenduar se ka pasur një përleshje mes trajnerit tonë, Qëndrim Kida, dhe lojtarit Hysen Memolla. Ky pretendim është plotësisht i pavërtetë dhe përbën një shpifje flagrante nga ana e analistit në fjalë.
Me këtë deklaratë të pabazuar, analisti Shala ka fyer klubin tonë, trajnerin dhe lojtarin në fjalë. Prandaj, kërkojmë që ai të kërkojë falje publike brenda një afati shumë të shkurtër. Në të kundërt, ne do të ndërmarrim masa ligjore dhe do ta padisim për shpifje në gjykatën kompetente.
Gjithashtu, duam të theksojmë se klubi ynë ka një strukturë të qartë, me president, kryesi, drejtorë dhe një person përgjegjës për komunikimin me mediat. Analisti Shala nuk ka kontaktuar asnjë prej këtyre instancave për të verifikuar informacionin e publikuar.
Jemi të habitur nga fakti se si një televizion si Tëvë 1 ka lejuar që në emisionin sportiv VAR të publikohet një lajm i pavërtetë, duke dëmtuar reputacionin e klubit tonë. Presim reflektim nga ana e tyre për të ruajtur standardet profesionale të gazetarisë sportive”, shkruhet në njoftimin e klubit.
/GazetaBlic Sport


