Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja në Tiranë, ku u gjet pa shenja jete brenda një apartamenti, një grua 24-vjeçare.
Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes, një 49-vjeçar.
“Rreth orës 12:55, shërbimet e Policisë u njoftuan për gjetjen e një shtetaseje pa shenja jete në një apartament me qira, në rrugën “Gjon Muzaka”.
“Gjatë fazës së parë të hetimeve, u konstatua se viktima kishte plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka bërë të mundur identifikimin e 24-vjeçares, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj, 49-vjeçar, rezultojnë të jenë shtetas palestinezë dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja.
Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se i dyshuari është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së veprës.
“Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara”.
“Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje”./abcnews.al


