Më 10 shkurt, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua me urdhër të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pas akuzave për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 9 raste, si dhe për “pastrimin e produkteve të veprës penale”, raporton GazetaBlic.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ka përfunduar në arrest shtëpie, ndërkohë që u arrestua edhe Elman Abule, mik i afërt i familjes Veliaj.
Në aktakuzë thuhet se Veliaj ka krijuar një mekanizëm të mirëmenduar për përfitime të paligjshme nga fondet publike. Provat e mbledhura deri tani sugjerojnë se ai ka miratuar shpërndarjen e fondeve në disa subjekte dhe organizata të lidhura me të dhe me bashkëshorten e tij.
Dyshohet se paratë kanë përfunduar në llogaritë e Xoxës dhe individëve të tjerë të afërt me çiftin Veliaj.
Sipas hetimeve, është zbuluar një rrjet i ndërlikuar transaksionesh financiare mes bashkisë dhe shoqërive të lidhura me Veliajn dhe Xoxën, duke përfshirë kompani të njohura si “Partners Law”, “Arts Lab” dhe “Harabel”.
Për një periudhë 6-vjeçare, bashkëshortja e Veliajt ka kryer blerje të shtrenjta, duke shpenzuar mbi 86 milionë lekë.


