Një grua e cila dyshohet të ketë probleme mendore është viktimë e dhunës fizike e dyshohet se edhe e dhunës seksuale.
Kështu njoftoi dje politologia Valmira Sylemjani në llogarinë e saj në Facebook, duke publikuar fotografitë e gruas që ishte përplot shenja të dhunës fizike.
Sipas saj, ajo grua detyrohet të kërkojë lëmoshë dhe kur nuk e arrin shumën e kërkuar, dhunohet barbarisht.
Sylejmani kërkoi reagim institucional.

E, vetëm pas këtij publikimi, reagoi ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu.
Ajo ka njoftuar se ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ, me anë të së cilit krijohet Fondi Emergjent për Nevojat e Viktimave.

“Fondi emergjent për nevojat e viktimave gjatë qëndrimit në polici.
Sot kam nënshkruar Udhëzimin Administrativ, me anë të së cilit krijohet Fondi Emergjent për Nevojat e Viktimave.
Ky fond ka për qëllim të sigurojë që viktimat e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore, gjatë qëndrimit të tyre në polici, të kenë qasje në shërbimet e nevojshme. Po ashtu, ky mekanizëm garanton që ndihma për viktimat e dhunës të ofrohet në mënyrë të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Po ashtu, lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

Ai ka thënë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe se viktima është e sigurt në duar të institucioneve, ndërsa i dyshuari i këtij akti është arrestuar mbrëmë.
“Rasti i raportuar në media gjatë ditës së djeshme për qytetaren me inicialet A.S na ka tronditur të gjithëve. Si Kryetar kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet e rendit dhe ato shëndetësore. Ju siguroj se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe ju njoftoj se viktima tani është e sigurt në duar të institucioneve, e vendosur në rehabilitim shëndetësor. Gjithashtu, organet e rendit kanë trajtuar rastin dhe identifikuar të dyshuarin e këtij akti të shëmtuar, i cili është arrestuar nga Policia e Kosovës, gjatë mbrëmjes së djeshme”, ka shkruar ai në Facebook./Gazeta Blic/


