Lajme

PD: Veliaj duhet të shkarkohet nga detyra

02/12/2025 12:47
nga:Lorik J

Partia Demokratike kërkon që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj të shkarkohet nga detyra.

Kreu i këshilltarëve të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, tha se qëndrimi i tij në detyrë është në kundërshtim të plotë të Kushtetutës dhe të çdo ligji në fuqi.

“Të nderuar qytetarë të Tiranës e të Shqipërisë!

Dje të gjithë ne pamë ‘mbrojtjen’ e ish-Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, nga ana e Kryeministrit, Edi Rama, dhe se si kjo ‘mbrojtje’ në fakt kishte qëllimin e kapjes së pushtetit vendor nga vetë Kryeministri.

Haptas ai deklaroi se do të jetë ‘Kryetari në distancë i Bashkisë Tiranë’ në kundërshtim të plotë të Kushtetutës dhe të çdo ligji në fuqi në Shqipëri apo në Perëndim.

Haptas ai gjithashtu emëroi edhe Kryetaren e Deleguar të Bashkisë Tiranë, sërish në kundërshtim të plotë të Kushtetutës dhe të çdo ligji në fuqi.

Shumë qartë është e përcaktuar se pushteti qendror dhe pushteti vendor janë të pavarur nga njëri-tjetri dhe përcaktimi i drejtuesve të tyre vjen vetëm përmes votës dhe organeve përfaqësuese të zgjedhur përmes saj.

Shumë qartë, ligji 139/2015, neni 7 citon se: ‘Organi përfaqësues i Bashkisë është Këshilli Bashkiak.’

Shumë qartë, neni 54 i të njëjtit ligj citon se: ‘Këshilli Bashkiak mbron dhe garanton interesin publik.’

Kjo do të thotë, shumë qartë, se detyra në këtë rast i takon Kryetares së Këshillit Bashkiak, znj. Romina Kuko, e cila hesht, si edhe 60 anëtarëve të tjerë të Këshillit Bashkiak të zgjedhur përmes votës.