Lajme

Prokuroria nis hetime të reja ndaj Martin Berishajt

02/06/2025 17:56
nga:Genita C

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar hetimet për keqpërdorime të mundshme të ambasadorit Martin Berishaj, në procedurën e transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë.

Sipas raportimeve të mediave, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ka vepruar jashtë çdo procedure zyrtare duke marrë vetë të gjitha zarfet me fletëvotime nga posta dhe duke i dërguar në ambasadë.

Për shkak të këtyre dyshimeve, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka nisur hetimet.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.