Lajme

Lumbardh Salihu: Albin Kurti s’po e sheh realitetin nga xhipat e zi

02/03/2025 16:50
nga:Genita C

Lumbardh Salihu, kandidati për deputet nga LDK-ja me numrin 77, ka theksuar se ka një vizion të qartë për të thyer stereotipin e politikanëve të zakonshëm, duke u treguar më të afërt dhe të aksesueshëm për qytetarët.

Ai për GazetaBlic deklaroi se është i angazhuar për të dëgjuar problemet e përditshme të qytetarëve dhe se synon të sjellë një energji të re, duke u bazuar në eksperiencat që ka fituar jashtë shtetit.

“Unë do ta thyej steriotipin e politikanit me kravatë, këmishë e i paprekshëm. Ne të gjithë jemi njerëz dhe duhet të jemi me këmbë në tokë për popullin e qytetarët. Duhet t’i dëgjojmë proplematikat e tyre ditore. Jam pak më ndryshe, e di këtë gjë, por kjo nuk do të thotë që duhet të paragjykohem. Krahas kësaj, unë e kam një vizion dhe mendoj se do të sjell një energji të re me eksperiencat që i kam pas jashtë shtetit”, tha Salihu.

Salihu theksoi se rinia e Kosovës ka potencial të jashtëzakonshëm dhe duhet të krijohen mundësi që ata të qëndrojnë në vend, duke përmendur rëndësinë e sportit për promovimin e vendit.

Ai kritikoi kryeministrin Kurti për mungesën e vëmendjes ndaj rinisë, teksa tha se Kosova ka nevojë për qeverisje të re që do të krijojë vende të punës për ta.

“Shpresoj që do të jem deputet në Kuvend, ku do të jem zëri i rinisë kosovare. Rinia këtu ka potencial shumë të madh, duhet t’iu ofrojmë mundësi që të qëndrojnë në Kosovë. Përmes sportit, promovohet një vend më së miri. Kryeministri Kurti nuk po e sheh realitetin përmes xhamave të gjipave të zi, sepse rinia është duke punuar me krejt mundësitë që i kanë”, tha Salihu.

“Rinia nuk e meriton këtë deklaratë prej një kryeministri, ajo meriton një qeverisje të re që krijon vende të punës”, shtoi tutje 77-shi i LDK-së.