Lajme

FSK pjesë e ushtrimit ndërkombëtar “Combined Resolve 25”

01/30/2025 14:22
nga:N K

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr pjesë me një kontingjent në ushtrimin ndërkombëtar “Combined Resolve 25”, i cili po zhvillohet në bazën ushtarake amerikane në Hohenfels, Gjermani, raporton GazetaBlic.

Sipas njoftimit të FSK-së, ky ushtrim ka për qëllim testimin dhe vlerësimin e gatishmërisë së njësive luftarake të NATO-s, si dhe përgatitjen e shteteve partnere për operacione të përbashkëta dhe ndërveprim.

“FSK i është bashkuar ushtrimit me ftesën e Ushtrisë Amerikane, duke synuar ngritjen profesionale, forcimin e ndërveprimit me shtetet partnere dhe rritjen e gatishmërisë për të vepruar në një mjedis të kombinuar shumëkombësh. Gjithashtu, pjesëmarrja në “Combined Resolve 25″ ofron mundësinë për shkëmbimin e përvojave me forcat ushtarake të shteteve të NATO-s, dhe partnere pjesëmarrëse në ushtrim”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se ky angazhim pasqyron përkushtimin e FSK-së për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin në nivel ndërkombëtar, si dhe për të avancuar aftësitë operacionale sipas standardeve më të larta ushtarake.