Lajme

Drogë e prostitucion nga Amerika Latine në Shqipëri, ambasadori i Brazilit i shkon në zyrë Drejtorit të Policisë

01/23/2025 14:15
nga:Sh R

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka pritur në një takim këtë të enjte ambasadorin e Republikës Federative të Brazilit, João Tabajara De Oliveira Júnior dhe me Zëvendësambasadorin, Ministër Këshilltar, z. Ricardo Primo Portugal.

Bëhet e ditur se në takim është konfirmuan gatishmëria për bashkëpunim në luftën ndaj trafikut të drogës, por edhe trafikimit të vajzave dhe grave, nga Brazili, me qëllim ushtrimin e prostitucionit në Shqipëri.

“Drejtori dhe Ambasadori konfirmuan gatishmërinë e plotë të organizatave që ata përfaqësojnë, për të intensifikuar bashkëpunimin, në koordinimin e INTERPOL dhe EUROPOL, me qëllim goditjen e rrjeteve të trafiqeve dhe krimeve të tjera ndërkombëtare.

Gjithashtu, Proda dhe Ambasadori çmuan bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet agjencive ligjzbatuese të të dyja vendeve, i cili ka rezultuar me konstatimin dhe goditjen e një sërë rastesh të trafikimit të vajzave dhe grave, nga Brazili, me qëllim ushtrimin e prostitucionit në Shqipëri.

Më tej, u dakordësua që ky bashkëpunim të mos kufizohej vetëm në aspekte të punës policore, por të shtrihej edhe te ofrimi i trajnimeve për punonjësit e sektorëve që merren me hetimin e krimeve, shkëmbimi i metodave dhe eksperiencave më të mira policore, si dhe te asistenca teknologjike”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.