Lajme

Xhafer Gashi: Kurti ka frikë nga LDK, po përdor gjuhë cinike dhe urrejtje – do të dalim parti e parë, s’bëjmë koalicion me VV-në

01/22/2025 13:35
nga:G B

Xhafer Gashi, kandidat i LDK-së për deputet, e ka quajtur cinike dhe gjuhë të urrejtjes gjuhën e Kurtit në fushatë zgjedhore.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se e gjithë kjo sjellje e Kurtit po bëhet për shkak të frikës.

“Si duket ai frikën e ka nga LDK dhe kjo gjuhë cinike, urrejtje, është jo e pranueshme për qytetarët dhe ndoshta pse atë po e shtyn ta bëjë këtë është duke e parë fushatën e LDK gjithandej Kosovës dhe shpalosjen e programit dhe si duke tata nuk kanë program për 4 vitet e ardhshme dhe mos puna e bën këtë që të jetë fokus cinizmi, urrejtja dhe që të mos kërkohet llogaridhënia për 4 vitet e kaluara në qeverisjen e tij”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, LDK është shumë e organizuar dhe do të jetë subjekti i parë, andaj dhe kjo po i dhemb pushtetit në ikje.

“LDK është shumë e organizuar, edhe krijimi i listës zgjedhore, bartësi i listës, Lumir Abdixhiku, kanë përpiluar program që precizon gjithçka për 4 vitet e ardhshme, projektet janë të realizueshme krahasuar me të hyrat buxhetore. Dhe fillimi i një fushate besoj që LDK do të jetë subjekti i parë. Normal që ata po i bezdis zhvillimi në Kosovë në fushatë dhe kjo është një nga dhembjeve të pushtetit që janë duke e pasur në ikje”, është shprehur kandidati për deputet nga LDK.

Ai thotë se Kurti po frikësohet pasi LDK për dallim nga viti 2021, është në tjetër nivel.

“Ndoshta viti 2021 ka qenë votë ndëshkuese, po e vërejmë në fushatë që është një rikthim I LDK në shtratin e vet dhe kjo po e frikëson z.Kurti. LDK është e organizuar në një tjetër nivel për dallim me vitin 2021”, ka theksuar Gashi.

Ai ka folur dhe për sondazhet, teksa thotë se ato janë të fabrikuara dhe besojnë se LDK do të dalë e para.

“Unë mendoj se sondazhet e tilla janë fabrikuara sepse s’ka mundësi të jetë sondazh real në rrethanat që po zhvillohen në teren. Po shohim edhe sondazhe të tjera nga kompani të ndryshme por ne besojmë që LDK është në drejtim të mirë, po bëjmë fushatë të mirë dhe tereni thotë se LDK do të jetë e para”, shton Gashi, i cili pret që LDK ta kalojë 30 për qindëshin.

“Mendoj se LDK do ta kalojë 30 për qindëshin. E para do të jetë”, u shpreh ai tutje.

Duke folur për mundësinë për koalicione, Gashi thekson se synojnë të jenë partia e parë me Abdixhikun kryeministër.

“Ne besojmë se do të jemi partia e parë dhe meqë i përmende sondazhet, sondazhi i Gani Bobit thotë se 80 mijë vota janë rikthyer në LDK, përpos asaj ka edhe të tjerë dhe struktura të tjera që po i kthehen LDK. Sa i përket koalicioneve, Qeverinë do ta bëjë z.Abdixhiku dhe më pas do të shohim se si do të zhvillohen, do të flasë edhe kryesia pastaj”, ka theksuar kandidati për deputet nga LDK.

Ai shton se Vetëvendosje s’ka lënë vend për koalicion me LDK-në.

“Mendoj që edhe kryetari, z.Abdixhiku, është deklaruar që me njerëz që dikur i kanë shkuar në shtëpi e tani e quajnë bashkëpunëtor i Serbisë, nuk besoj që ka lënë vend Vetëvendosja për një bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe jemi të ndarë diametralisht në kuptimin e koncepteve të qeverisë”, deklaron Xhafer Gashi./Gazeta Blic/