Lajme

Lajçak në Davos takohet për herë të fundit në rolin e emisarit me Vuçiqin: Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 e shtroi rrugën e normalizimit

01/21/2025 23:37
nga:G C

Emisari special i BE’së për dialogun, Miroslav Lajçak ka njoftuar për takimin që pati me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Lajçak përmes një cicërime në rrjetin X tha se gjatë bisedës me Vuçiqin, ka theksuar se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 e shtroi rrugën e normalizimit.

“Në takimin tonë të fundit në rolin tim aktual, presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe unë folëm për gjendjen aktuale të Dialogut. Theksova se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 hapi rrugën përpara drejt normalizimit. Përparimi i mëtejshëm është në interes të Serbisë, Kosovës dhe të ardhmes së tyre evropiane”, shkroi Lajcak.

Ky ishte takimi i fundit me Vuçiqin, pasi Lajçak më 31 janar të këtij viti do ta përfundojë mandatin e tij si emisar special i BE për dialogun Kosovë-Serbi.