Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka dhënë detaje rreth zjarrit që kaploi fabrikën e plastikës në Sapniq të Rahovecit.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka shprehur keqardhje për këtë ngjarje.
“Fatmirësisht, nuk ka pasur dëme në njerëz, gjë që është një lehtësim i madh për të gjithë ne. Megjithatë, dëmet materiale janë të mëdha dhe ende nuk janë vlerësuar plotësisht. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të zjarrfikësve, zjarri është lokalizuar dhe është shmangur përhapja e tij në zonat përreth”.
“Dua të shpreh mirënjohjen time për Njësinë e Zjarrfikësve të Rahovecit, si dhe për ndihmën e vyer të njësive të zjarrfikësve nga Gjakova, Prizreni dhe Malisheva, të cilët dëshmuan solidaritet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm! Po ashtu, falënderoj Policinë e Kosovës për angazhimin e tyre në sigurimin e rendit dhe mbështetjen në menaxhimin e situatës!”
“Do të ofrojmë mbështetje për këtë biznes dhe do të bëjmë gjithçka që është në mundësinë tonë për të ndihmuar në përballimin e pasojave të kësaj fatkeqësie!”, shkruan ai.