Lajme

Izraeli thotë se sot do të miratohet marrëveshja për armëpushim dhe pengje

01/17/2025 09:02
nga:N K

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se është arritur marrëveshja për kthimin e pengjeve që mbahen në Rripin e Gazës, pasi paraprakisht deklaroi se kishte pengesa në minutën e fundit për finalizimin e një armëpushimi që do të pauzonte luftën 15-mujore.

Netanyahu tha se ai do të mbledhë kabinetin e tij të sigurisë më vonë gjatë së premtes dhe më pas Qeveria do ta miratojë marrëveshjen e shumëpritur për lirimin e pengjeve.

Kjo deklaratë e Netanyahut duket se i hap rrugë miratimit nga Izraeli të marrëveshjes, e cila parasheh pauzimin e luftimeve në Rripin e Gazës dhe lirimin e dhjetëra pengjeve që mbahen nga luftëtarët radikalë në Gazë në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, që mbahen nga Izraeli. Marrëveshja po ashtu do të lejojë që qindra mijëra të zhvendosur palestinezë të kthehen në shtëpitë e tyre në Gazë.

Kryeministri izraelit tha se ka udhëzuar një task-forcë speciale që të përgatitet për pranimin e pengjeve që do të kthehen nga Gaza dhe familjarët e tyre janë informuar se marrëveshja është arritur.

Të enjten, Izraeli shtyu votimin për armëpushimin, duke fajësuar se Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për mospajtime në minutën e fundit, teksa tensionet në rritje brenda koalicionit qeverisës të Netanyahut shtuan shqetësimet për zbatimin e marrëveshjes.

Të mërkurën, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe ndërmjetësi, Katari, kishin njoftuar se marrëveshja ishte e përfunduar.

Zyra e Netanyahut akuzoi Hamasin se kishte refuzuar disa pjesë të marrëveshjes në përpjekje për të përfituar koncesione të mëtejme. Në një konferencë për media të enjten, zëdhënësi i Qeverisë izraelite, David Mencer, tha se Hamasi kishte bërë kërkesa të reja. Sipas tij, këto kërkesa kishin të bënin me dislokimin e forcave izraelite në Korridorin Filadelfi, që është një brez i ngushtë toke në kufi me Egjiptin që trupat izraelite e morën nën kontroll majin e vitit të kaluar.

Hamasi këto akuza i hodhi poshtë dhe Izzat al-Rishq, zyrtar i lartë i grupit, deklaroi se Hamasi është “i përkushtuar për marrëveshjen e armëpushimit, që u bë publike nga ndërmjetësit”.

Marrëveshja e armëpushimit është përballur me rezistencë të ashpër nga partnerët e koalicionit të Netanyahut, nga të cilët varet qëndrimi i tij në pushtet. Të enjten, ministri i Sigurisë Kombëtare i linjës së ashpër, Itamar Ben-Gvir, kërcënoi se do të largohej nga Qeveria, nëse Izraeli do të miratonte marrëveshjen e armëpushimit.

Marrëveshja për armëpushim do të pauzonte luftën 15-mujore, që ka trazuar Lindjen e Mesme dhe ka nxitur protesta në gjithë botën.

Lufta nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë shkatërruese, që ka lënë të vrarë më shumë se 46.000 palestinezë në Gazë.

Çfarë dihet për marrëveshjen e armëpushimit?

Hollësitë e marrëveshjes ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht, por ka një pasqyrë të asaj se si do të duket ajo sipas komenteve të zyrtarëve dhe raportimeve në media bazuar në draftet e publikuara të marrëveshjes.

Në fazën e parë do të nisë një armëpushim gjashtëjavor, gjatë të cilit trupat izraelite do të tërhiqen dalëngadalë nga qendra e Gazës.

Gjatë kësaj faze, Hamasi do t’i lirojë 33 pengje – që pritet të jenë kryesisht gra, të moshuar dhe të sëmurë – në këmbim të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.

Disa pengje u liruan në nëntor 2023 në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë. Hamas ende mban 94 pengje, por Izraeli beson se vetëm 60 prej tyre janë ende gjallë.

Palestinezët e zhvendosur si pasojë e luftës do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre në fazën e parë të marrëveshjes, ndërsa ndihma humanitare do të fillojë të hyjë në enklavën e drejtuar nga Hamasi. Gati të gjithë 2.3 milionë banorët e Gazës u detyruan t’i braktisnin shtëpitë e tyre gjatë luftës.

Negociatat e mëtejshme për fazën e dytë dhe të tretë të marrëveshjes do të fillojnë në ditën e 16-të të zbatimit të marrëveshjes, dhe analistët thonë se kjo mund të jetë sfida e parë e vërtetë për jetëgjatësinë e armëpushimit.

Faza e dytë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve të mbetura dhe, më e rëndësishmja, përfundimin e luftës./rel/