Lajme

Osmani takon vëzhguesit e BE-së, flasin për zgjedhjet e 9 shkurtit

01/16/2025 12:14
nga:N K

Presidentja Vjosa Osmani, priti sot në takim ekipin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, të kryesuar nga Nathalie Loiseau, njëherësh deputete e Parlamentit Evropian.

Ky takim u zhvillua në kuadër të angazhimeve të përbashkëta për të siguruar një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe demokratik në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Gjatë takimit, Osmani dhe Loiseau diskutuan rëndësinë e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe transparent, duke nënvizuar se Kosova tashmë ka dëshmuar përkushtimin e saj në organizimin e zgjedhjeve demokratike.

E para e shtetit të Kosovës nëpërmes një letre të dërguar më 3 shtator 2024 Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar dërgimin e një Misioni të Vëzhgimit të Zgjedhjeve.

Në këtë kontekst, Osmani shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të BE-së në mbështetje të demokracisë në Kosovë dhe rikujtoi rëndësinë e misioneve vëzhguese të BE-së që nga viti 2013. Ajo theksoi se këto janë zgjedhjet e para të rregullta sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke i dhënë një dimension të ri procesit zgjedhor në vend.

Në takim me Loiseau, Osmani ka ritheksuar kërkesën e bërë edhe në letrën dërguar z.Borrel, në mënyrë që ky mision të përfshijë gjithashtu një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor. Ajo theksoi rëndësinë e përfaqësimit të grave në listat zgjedhore, buxhetimin gjinor, praninë e tyre në media, si dhe trajtimin e çështjeve të dhunës me bazë gjinore gjatë fushatës, përfshirë dhunën në internet. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, gjithashtu ritheksoi kërkesën që ky Mision, të fokusohet edhe në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, posaçërisht sa i përket qasjes së tyre në vendvotime.