Kandidati i AAK-së për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin aktual të vendit, Albin Kurti, duke thënë po bën hapa prapa në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.
”Krijimi i ushtrisë në vitin 2018 ka qenë puna e parë bazë për me vazhdu me hy në NATO, pastaj ka ekzistu plani 10 vjeçar përmes së cilit ne kemi pasur dinamikat e ecjes përpara, por edhe mundësitë, me ardhjen e Kurtit në Qeveri ka fillu një regres, pra një kthim prapa”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.
Haradinaj tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në pozicion të njëjtë me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sa i përket angazhimit për anëtarësim në Paktin Veri-Atlantik.
”Kurti është në pozicionin e njëjtë me Dodikun dhe Vuçiqin sa i përket angazhimit të qeverive të këtyre vendeve rreth NATO-s. Vuçiq dhe Dodik bëjnë obstruksione, përshembull Dodik bën obstruksione mos me hy Bosnja në NATO, Vuçiq bën obstruksione të ndryshme që të mbesë Serbia jashtë ndikimit amerikan dhe të NATO-s, për fat të keq edhe Kurti ka shku kësaj rruge, amerikanët e kanë ofru Kurtit një menaxhim të gjendjes së përbashkët në veri, në shkëmbim të ecjes përpara si sukses në dialog dhe ecjes përpara drejt NATO-s, Kurti i ka bërë obstruksion kësaj strategjie duke i nxjerrë në pritë, duke bërë pabesi, përkundër që ata e kanë informu për planin e përbashkët ky ka bërë veprime të fshehta, e të pabesa dhe ka krijuar mosbesim në mekanizmat e sigurisë së aleatëve tanë veçanërisht të Amerikës dhe kësisoj na ka bërë refuzues dhe obstruksionistë të NATO-s”, tha Haradinaj.