Lajme

Berisha: Zgjedhjet e 11 majit 2024, unike për Shqipërinë

01/10/2025 18:44
nga:Y I

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se zgjedhjet e 11 majit 2024 do të jenë një ngjarje unike për Shqipërinë, pasi për herë të parë gjysma e elektoratit do të jetë jashtë vendit.

Sipas Berishës, këto janë zgjedhjet e para në 34 vitet e fundit, ku një pjesë e konsiderueshme e votuesve janë shpërndarë nëpër botë, duke krijuar një realitet të ri për politikën shqiptare.

Berisha theksoi se, përballë këtij realiteti, është e domosdoshme që fushata elektorale të zhvillohet me të njëjtën rëndësi dhe vëmendje për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, ashtu si për ata që janë brenda Shqipërisë. Ai theksoi se përshtatja dhe ridimensionimi i aktivitetit të Partisë Demokratike për këtë kategori votuesish janë thelbësore për fitoren e opozitës.

“Duhet pranuar se forcat politike në Shqipëri nuk kanë eksperiencë të mjaftueshme për të zhvilluar fushatën jashtë vendit. Mirëpo, duhet të kemi parasysh se fushata jonë jashtë Shqipërisë është e një rëndësie të njëjtë si ajo brenda vendit”, tha Berisha.

Kreu i PD-së shtoi se përpjekjet për të siguruar një proces zgjedhor të ndershëm dhe të pavarur nga ndikimet e pushtetit janë prioritare. Ai kërkoi që ky proces të jetë i pastër, i ndershëm dhe të sigurojë një numërim të drejtë të votave, duke përjashtuar çdo mundësi për manipulime.

“Në këtë proces do të jenë të rëndësishme të dy fazat e tij, ajo brenda Shqipërisë dhe ajo jashtë saj, dhe natyrisht që puna jonë brenda vendit do të jetë përcaktuese”, përfundoi Berisha.

Ky proces zgjedhor pritet të ketë një ndikim të madh, duke i dhënë mundësinë për herë të parë shumë shqiptarëve jashtë vendit që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet e ardhshme.

/Euronews Albania/