Lajme

Policia me plan operativ për zgjedhje, këto janë masat që kanë marrë

01/10/2025 16:58
nga:Y I

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka hartuar urdhrin operativ policor për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe ka bërë të gjitha planifikimet e saj në lidhje me zgjedhjet nacionale.

Sipas policisë, është paraparë që të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë, kryesisht të rendit publik, por policia tha se sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme.

Bëhet e ditur se plani operativ i policisë ka paraparë katër faza, ku e para është “periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese”, faza e dytë është “angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore”, faza e tretë është “garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z)”, dhe faza e fundit, sipas policisë, është “periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit”.

“Faza e parë tani veçse është realizuar, përderisa tani jemi në fillim të zbatimit të fazës së dytë, për të vazhduar sipas planit me fazat tjera, deri në përfundim të procesit zgjedhor”.

“Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është: Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve”.

“Sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore”.

“Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor”.

“Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, policia bëri të ditur se në memorandumin e bashkëpunimit me Prokurorinë dhe KQZ-në, ka caktuar zyrtarë hetues në të gjitha drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarë policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit si dhe të jetë transparente mbi punën dhe angazhimet e saja policore”.

“Inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre”, tha policia.