Gani Geci, ka kujtuar gjyshin e tij, Halil Bajraktari, që sipas tij, u pushkatua më 6 janar 1945 nga OZNA-UDB-ja, një organizatë e kontrolluar nga shovenistët serbë.
Ai theksoi se Bajraktari dhe shumë nacionalistë shqiptarë u ekzekutuan pas një periudhe të errët, ku udhëheqësit komunistë tradhtuan idealet e nacionalistëve shqiptarë.
Geci përmendi dokumente të publikuara që provojnë se këta patriotë u shpallën tradhtarë nga komunistët e Shqipërisë dhe u vranë nga brigadat çetniko-partizane.
Ai gjithashtu shprehu refuzimin e tij ndaj trashëgimisë së komunizmit dhe lidhjes me partitë aktuale që i sheh si vazhdimësi të këtij mentaliteti tradhtar.
E plotë:
Më 6 janar të vitit 1945 u pushkatua gjyshi im, Halil Bajraktari. Sot bëhen 80 vjet nga pushkatimi i Bajraktarit të Llaushës. Thuhet se ai u thirr për një bisedë nga komunistët Fadil Hoxha dhe Ali Shukriu, por u vra tinëzisht nga OZNA-UDB-ja, një organizatë e kontrolluar nga shovenistët serbë, përfshirë Milladin Popoviqin dhe Nihar Kerrst Filipoviqin.
Nga dokumentet e publikuara së fundmi në arkivat e Shqipërisë, del se nacionalistët kosovarë fillimisht u ndoqën dhe u shpallën tradhtarë nga komunistët e Shqipërisë përmes Brigadës së V-të të Ramiz Alisë dhe më pas u ekzekutuan nga çetniko-partizanët. Dokumenti që unë posedoj është pikërisht i Brigadës së V-të të Ramiz Alisë. Ky dokument mban datën 9 dhjetor 1944 dhe shpall tradhtarë 29 burra patriotë shqiptarë antikomunistë.
Ndërkohë, në janar dhe shkurt të vitit 1945, qindra dhe mijëra nacionalistë shqiptarë u pushkatuan nga brigadat çetniko-partizane. Kjo periudhë, nga viti 1944 deri në vitin 1949, mbetet një ndër periudhat më të errëta të historisë sonë, kur sakrificat dhe ideali i nacionalistëve shqiptarë u tradhtuan nga udhëheqësit komunistë.
Pasi lexova dhe analizova këtë dokument, ndarja ime me tradhtinë e Enveristëve-Titistëve dhe pasardhësve të tyre majtistë është përfundimtare. Ata, të lidhur me doktrinën komuniste të Rusisë, përmes Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe asaj të Jugosllavisë, prodhuan më vonë organizata si OMLK, LPRK, LPK, PDK dhe LVV, të cilat i shoh si vazhdimësi të këtij mentaliteti tradhtar.