Lajme

Kurti: Kemi ndarë 13 milionë euro për stadiumin e Prizrenit, do ta rijetësojmë edhe rrugën Marin Barleti

12/26/2024 23:30
nga:G C

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar punimet në rrugën Marin Barleti në Prizren, ku po restaurohen shtëpitë tradicionale për të rikthyer karakterin historik të lagjes, raporton GazetaBlic.

Ky projekt i Qeverisë, sipas Kurtit ka për qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe rifunksionalizimin e ndërtesave për zhvillimin ekonomik lokal.

Kurti gjithashtu diskutoi për projektin e Stadiumit të Qytetit, për të cilin janë ndarë 13 milionë euro.

E plotë:

Rijetësimi i rrugës Marin Barleti në Prizren, është projekt zhvillimor i Qeverisë që do të rikthejë karakterin historik të kësaj lagje. I pamë nga afër punimet në shtëpitë tradicionale të cilat po restaurohen. Krahas ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, këto ndërtesa po adaptohen për t’u rifunksionalizuar në shërbim të zhvillimit ekonomik e lokal.

Pas restaurimit, do të vazhdojmë me planin e dizajnit urban të lagjes si pjesë integrale e projektit të rigjenerimit të kësaj zone brenda Qendrës Historike të Prizrenit.

Prej aty, mes për mes shatërvanit, nga kultura e trashëgimia e bujshme e qytetit, bisedat i vazhduam për sportin, për futbollin me drejtues, staf e lojtarë të Klubit të Futbollit Liria, skuadrës së fëmijërisë së “Piratit” të klubit spanjoll Mallorca e qendërsulmuesit tonë, Vedat Muriqi, e dashurisë së madh të “Arpaxhikëve”. U mblodhëm në “Korner”, jo për ta ekzekutuar ndonjë goditje nga këndi, por për të bashkëbiseduar për punën që po bëhet për Stadiumin e Qytetit të Prizrenit, të cilin e meriton qyteti dhe tifozët, e që për të kemi ndarë 13 milionë euro.