Kandidati për deputet nga LDK-ja, Besim Mulaj, thotë se e mbështes protestën e banorëve të Istogut dhe fshatrave përreth, raporton GazetaBlic.
Mulaj thotë se përmes protestave po ngrihet një shqetësim i madh për cilësinë e dobët të energjisë elektrike që u ofrohet.
Ai kërkon nga institucionet përkatëse të angazhohen masimalisht për zgjidhjen e kësaj situate sa më të shpejt.
Postimi i plotë:
Mbështes protestën e banorëve të Banjës së Istogut dhe fshatrave përreth
Sot, zëri i banorëve të Banjës së Istogut dhe fshatrave përreth po ngrihet për një shqetësim madhor dhe të drejtë – cilësia e dobët e energjisë elektrike që u ofrohet. Me tension që varion nga 110 deri në 130 volt, qytetarët po përballen me një realitet të vështirë, të papranueshëm dhe që vështirëson jetesën e tyre të përditshme.
Jo vetëm që rrjeti i shpërndarjes është jashtë standardeve, por ndërprerjet e shpeshta e bëjnë këtë situatë edhe më të rëndë. Pajisjet e tyre shtëpiake dëmtohen, përditshmëria bëhet më sfiduese, dhe ekonomia familjare bie nën peshën e një infrastrukture të dështuar.
Dua t’i mbështes plotësisht këta qytetarë dhe të bëj thirrje ndaj institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë urgjentisht! Nuk është normale dhe as e drejtë që në një kohë kur teknologjia dhe zhvillimi përparojnë, këta banorë të përballen me një situatë që nuk pasqyron dinjitetin e jetës moderne.
Energjia elektrike e qëndrueshme dhe cilësore është një e drejtë bazë për çdo qytetar. Kërkoj që institucionet përkatëse të angazhohen maksimalisht për zgjidhjen e kësaj situate sa më shpejt.
Zëri i qytetarëve të Banjës së Istogut është zëri i çdo qytetari që kërkon të jetojë me dinjitet.
Pa besim s’ka ndryshim!