Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë deklaruar të pafajshëm 22 të akuzuarit të cilët ngarkohen nga Prokuroria se përmes një skeme të organizuar kriminale në formën e të ashtuquajturës “Cybertranding” apo tregtisë kibernetike, kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshëm shuma të mëdha të parave.
Në këtë rast të akuzuar janë: Andi Fosa, Kushtrim Gecaj, Idriz Lipa, Mendim Tetaj, Drin Hajredini, Visar Kabashi, Ardit Zllanoga, Çlrim Qelaj, Mario Kepi, Fatmir Kala, Florida Hoti, Ilir Sejdija, Suana Peja, Argjent Veseli, Agim Nezha, Ivi Xhahysa, Alen Dhimitri, Erald Lila, Adem Muqiqi, Klodina Recani, Elmedina Recani, dhe Qamile Abazi.
I akuzuar në këtë rast është edhe Leotrim Haxhiaj, por ndaj tij në është veçuar procedura, pasi që i njëjti ndodhet në Gjermani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës, e cila është ngritur më 6 qershor 2024, Andi Fosa, akuzohet se si pronar i kompanisë “Future Media”, bashkë me Kushtrim Gecajn dhe Idriz Lipën si pjesë e menaxhmentit që nga viti 2018 dhe në vazhdimësi deri më 31 mars 2021, kishin vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki.
Ndërkaq, për të akuzuarit Mendim Tetaj, Drin Hajredini, Visar Kabashi, Ardit Zllanoga, Leotrim Haxhiaj, Çlrim Qelaj, Mario Kepi, Fatmir Kala, thuhet se ishin në pozitën e operatorëve telefonik, duke telefonuar qytetarët gjermanë që kanë qenë të interesuar dhe tani janë të dëmtuar. Këta të akuzuar, thuhet se janë paraqitur me emra të rrejshëm me qëllim që t’i bindin të bëjnë pagesa në emër të investimit, me premtimin se do fitojnë shuma të larta parash.
Kurse, Florida Hoti, akuzohet se në pozitën “Back office”, duke vepruar si anëtare e këtij grupi ishte marrë me sigurimin e kontakteve dhe të dhënat e personave të interesuar në Gjermani dhe caktimin e agjentëve me të cilët ata do bashkëpunonin.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, mashtrimi përmes “Cybertranding” ishte kryer përmes platformave që paraqiten si tregtarë në faqet e internetit www.goldsteinvest.com, www.fxcmarkets.com, www.obsbit.com dhe www.swissinv24.com, në të cilat shtetasit gjermanë kishin investuar, por që këto para kishin përfunduar në llogarinë e kompanisë “Future Media LLC”. Dëmi i pretenduar vetëm nga të dëmtuarit nga kjo kompani është afër 4 milionë euro.
Për këtë, Andi Fosa akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 par.4 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Të akuzuarit, Gecaj, Lipa, Hajredini, Tetaj, Kabashi, Zllanoga, Haxhiaj, Qelaj, Kepi, Kala dhe Hoti, akuzohen po ashtu për “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga paragrafi 1 dhe veprën penale të “Mashtrimit”.
Andi Fosa, për të cilin në aktakuzë thuhet se ka gjendje të dobët ekonomike, bashkë me Idriz Lipën dhe Kushtrim Gecajn, akuzohen edhe për shpëlarje parash në bashkëkryerje nga 2020 deri më 31 mars 2021.
Sipas aktakuzës, në llogaritë e kompanive “Future Media” dhe “Media Data”, në Prishtinë, kanë hyrë para nga shtete si Çekia, Britania e Madhe, Hungaria, Irlanda, Polonia, Latvia, Sllovakia dhe Bullgaria, përmes bankave korrespodente në Gjermani, të cilat ishin fituar përmes “Call Center”.
Kështu, në mënyrë që këto para të fituara kundërligjshëm të duken si pasuri e fituar në mënyrë të rregullt, këto mjete janë deponuar në kompanitë “Idan Color” që merret me riparimin dhe ngjyrosjen e veturave dhe “Fosa Beuty Center”.
Në aktakuzë thuhet se këto kompani kishin lëshuar fatura fiktive në emër të shërbimeve të cilat nuk kishin ndodhur kurrë dhe nuk arsyetonin shumën e transaksioneve që ishin rreth 300 e 50 mijë euro, ku mbi 242 mijë euro me vendim të gjykatës janë ngrirë dhe mbi 107 mijë euro janë paguar në emër të ATK-së.
Të tre, akuzohen për veprën penale “Shpëlarje parave” nga neni 302 i KPRK-së dhe nenit 56-57 të Ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmit.
Për ndihmë në shpëlarjen e këtyre parave, po akuzohen edhe Erald Lila dhe Adem Muqiqi, të cilët në cilësinë e punëtorëve të “Idan Color”, me seli në Prishtinë kishin ndihmuar tre të akuzuarit Fosa, Lipa dhe Gecaj në shpëlarjen e parave duke lëshuar fatura fiktive si dhe kishin bërë pagesa me para në dorë (cash) për kompani tjera të furnizimit në mënyrë që të kishin rritje të qarkullimit për të arsyetuar lëvizjen e parave të kundërligjshme.
Për këtë, ata akuzohen për “Ndihmë në shpëlarjen e parave”, nga neni 302 lidhur me nenin 33 të KPRK-së dhe nenit 56-57 të Ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmit.
Sipas Prokurorisë, Klodiana Raçani, Elmedina Reçani dhe Qamie Abazi, akuzohen se në bashkëkryerje kishin ndihmuar Andi Fosën t’i fsheh afër 2 milionë euro, duke i marrë nga banesa e tij dhe dërguar në banesën e tyre, por pas informatave operative të njëjtat ishin gjetur dhe sekuestruar.
Për këtë, ato akuzohen se në bashkëkryerje do të kryenin veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380, par 3 lidhur me par 1 dhe nenin 31 të KPRK-së. Për të lexuar aktakuzën e plotë, klikoni KËTU /BetimipërDrejtësi