Lajme

Hyseni: Politika e Kurtit me qytetarët si mjet fushate mbaron më 9 shkurt, kur Abdixhiku bëhet kryeministër

12/22/2024 21:50
nga:G C

Kandidati i LDK-së për deputet, Ekrem Hyseni, ka kritikuar ashpër vendimin e Qeverisë Kurti për ndarjen e 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët, duke e quajtur atë një masë të nxituar për të blerë vota.

Hyseni në një deklaratë për GazetaBlic theksoi se pensionistët kanë nevojë për trajtim të dinjitetshëm dhe pensione që mundësojnë sigurimin e barnave dhe kushteve të nevojshme.

Sipas tij, kjo është një tentativë e Qeverisë për të fituar mbështetje zgjedhore përmes përdorimit të buxhetit shtetëror.

“Vendimi i sotëm i qeverisë për ndarjen e 100 eurove për pensionistët dhe për fëmijët tregon realisht se në ç’gjendje e solli kjo qeveri vendin. Pensionistët kanë nevojë të trajtohen me dinjitet, e jo të luhet me dinjitetin e tyre me një shtesë prej 100 euro. Ata, kanë nevojë të kenë pensione të dinjitetshme, që në rend të parë ju mundësojnë t’i sigurojnë barnat për të cilat kanë nevojë”, thotë Hyseni.

“Por kjo qeveri nuk e ka hallin as të pensionistëve, e as të fëmijëve. E ka hallin e vet, hallin e votave. Prandaj, ky është vendim i panikut të madh, që kjo qeveri të blejë ndonjë votë, por jo që realisht t’i ndihmojë as pensionistët, e as fëmijët”,  shtoi tutje ai.

Hyseni theksoi se ky veprim i Qeverisë është një tjetër hap në politikën elektoraliste, që synon interesat e ngushta të partisë në pushtet, duke përdorur burimet e shtetit për fushatë zgjedhore.

Ai e konsideroi këtë si një përpjekje të dëshpëruar për të fituar mbështetje dhe theksoi se qytetarët do të shpërblehen me një qeveri të LDK-së dhe me kryeministër Lumir Abdixhikun, e cila do të sigurojë një trajtim dinjitetshëm për pensionistët dhe qytetarët e Kosovës.

“Fushatën e ka nisur me para të buxhetit, që nga “ngritja” e pagave. E që realisht, as ajo nuk është ngritje, as ajo nuk është menduar për interesin qytetar, por për interesin elektoral. Kjo qeveri po bën politikë edhe me dinjitetin njerëzor, duke e shëndrruar buxhetin shtetëror në shërbim të fushatës zgjedhore”.

“Megjithatë, një politikë e tillë shpejt do të marrë fund, më 9 shkurt, dhe qytetarët vërtetë do të kenë mirëqenien që e meritojnë dhe vërtetë do të trajtohen dinjitetshëm me qeverisjen e LDK-së dhe me kryeministër Lumir Abdixhikun”, tha Hyseni për GazetaBlic.