Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka gjetur një armë dhe 50 fishekë në valixhen e një udhëtari në një autobus me targa vendore në pikën kufitare në Merdare.
Në njoftimin e Doganës thuhet se arma dhe fishekët janë konfiskuar menjëherë dhe janë dorëzuar pranë Policisë Kufitare për procedura të mëtejshme ligjore.
Rasti po hetohet nga Policia e Kosovës.
“Sot, më datë 22.12.2024, në Pikën Kufitare të Merdares, rreth orës 18:00 është paraqitur një autobus me targa vendore. Gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim disa valixhe. Gjatë procesit të skanimit, është vërejtur se në njërën nga valixhet ndodhej një armë dhe 50 copë fishekë. Pas verifikimeve të mëtejshme, është konstatuar dhe gjetur pronari i valixhes.
Arma dhe fishekët janë konfiskuar menjëherë dhe janë dorëzuar pranë Policisë Kufitare për procedura të mëtejshme ligjore. Policia e Kosovës ka marrë përsipër trajtimin dhe hetimin e këtij rasti, në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.