Lajme

Vazhdojnë punimet për ta rindërtuar kanalin e ‘Ibër-Lepencit’

12/20/2024 07:26
nga:Y I

Në Varagë të Zubin Potokut, po vazhdojnë punimet për ta rindërtuar atë që u shkatërrua nga akti terrorist i Serbisë, kanali i “Ibër-Lepencit”.

Dëmet që shkaktoi shpërthimi i eksplozivit ende nuk janë sanuar plotësisht. Aty po punohet intensivisht që të arrihet një zgjidhje e përhershme.

Pjesa e shtratit të kanalit që u dëmtua rëndë nga sulmi, është këputur tërësisht, në mënyrë që të ndërtohet shtrati i ri. Por për këtë u desh që të krijohet një baypas, i cili i hapi rrugë rindërtimit të shtratit. Nga ajo që shihet në terren, punimet nuk janë afër përfundimit.

Megjithatë, kryeshefi i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, ka dhënë një afat kohor, kur pritet të finalizohen punimet.

“Punimet do të përfundojnë sa më shpejtë që është e mundshme. Besoj që maksimumi brenda dy-tre javëve kanali do të jetë funksional”, ka thënë Mujka.

Ndërkohë që punimet po vazhdojnë, fshati Varagë po sigurohet nga Policia e Kosovës. Institucionet e sigurisë në Kosovë thonë se kanë fakte që përgjegjës për sulmin është Milan Radoiçiq i mbështetur nga Serbia.

Kështu deklaroi dje kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, Ganimete Musliu pas mbledhjes së Komisionit ku raportoi drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.