Lajme

Abdixhiku dhe Ahmeti diskutojnë për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal

12/17/2024 14:06
nga:Genita C

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin. Ata diskutuan për zhvillimet politike në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit dhe zhvillimit rajonal, raporton GazetaBlic.

Abdixhiku vlerësoi kontributin e BDI-së për forcimin e rolit politik të shqiptarëve dhe theksoi nevojën për ruajtjen e të arriturave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ahmeti vlerësoi rolin historik të LDK-së dhe udhëheqjen e Abdixhikut në rikthimin e forcës elektorale të partisë.

E plotë:

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me bashkëpunëtorë, priti në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetin.

Kryetari Abdixhiku dhe z. Ahmeti diskutuan për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut në një kohë kur stabiliteti dhe zhvillimi rajonal mbeten të rëndësishme për të dyja vendet.

Duke njohur kontributin e z. Ahmeti dhe të BDI-së për forcimin e rolit politik të shqiptarëve, kryetari Abdixhiku vlerësoi domosdoshmërinë e ruajtjes së të arriturave historike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, si dhe forcimin e bashkëpunumit ndërshqiptar.

Shqiptarët janë faktor vendimtar për stabilitetin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut. Gjuha shqipe dhe historia e shqiptarëve përbëjnë identitet të patjetërsueshëm, theksoi Abdixhiku.
Z. Ahmeti çmoi lart rolin historik të LDK-së dhe të Presidentit Rugova në pavarësimin e Kosovës dhe në ndërtimin e shtetit. Po ashtu, z. Ahmeti vlerësoi lart lidershipin e kryetarit Abdixhiku në procesin e rikthimit të forcës elektorale të LDK-së, si dhe i uroi sukses në zgjedhjet e 9 shkurtit.