Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka shkatërruar një grup kriminal të trafikut të armëve, aktiv në Kosovë dhe Shqipëri.
Pas më shumë se nëntë muaj hetimesh, janë lëshuar 14 urdhër arreste dhe janë sekuestruar një sërë armësh dhe municionesh.
Më 10 dhjetor 2024, Policia e Kosovës ka realizuar një operacion në kuadër të këtij hetimi, duke realizuar urdhërkontrollë në nëntë lokacione, ku janë gjetur dhe konfiskuar 29 pistoleta, 3 armë të gjata, mbi 2,600 fishekë dhe dy automjete.
Po ashtu, janë arrestuar 8 persona, prej të cilëve 6 shtetas kosovarë dhe 2 shqiptarë.
Personat e arrestuar janë: V.O., K.K., S.H., Sh.J., A.H., Z.A., A.D., B.A.
Një operacion i mëtejshëm ka çuar në arrestimin e 6 personave, me inicialet E.M. E.P. A.M. G. Ll. K.M. dhe T.Sh. , të cilët akuzohen për trafikim të armëve dhe municionit.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 22 armë pistoletë, një AK-47, një granatë dore dhe 470 fishekë, si dhe 3 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash.
“Nga hetimet e zhvilluara përmes masave të veçanta të hetimit janë dokumentuar raste të shitjes së armëve të zjarrit kryesisht pistoleta ‘Zoraki” të trafikuara nga Kosova drejt Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Hetimet janë mbështetur nga EUROPOL dhe janë realizuar në koordinim me autoritetet e Shqipërisë, duke rezultuar në nënshkrimin e një marrëveshjeje për krijimin e një Ekipi të Përbashkët Hetimor për të luftuar trafikun e armëve në rajon.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se hetimet do të vazhdojnë, dhe do të ndërmarrin veprime të tjera në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, për të zbardhur të gjithë rrjetin e këtij grupi kriminal.
Shkatërrohet grupi i trafikut të armëve Kosovë-Shqipëri, 15 të arrestuar – 50 armë të sekuestruara