Lajme

Përurohet objekti i ri i Stacionit Policor në Mamushë

12/11/2024 15:25
nga:N K

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në një ceremoni solemne u bë përurimi i objektit të ri të Stacionit Policor në Komunën e Mamushës, ku të pranishëm ishin ministri i Zhvillimit Rajonal z. Damka, drejtori i Përgjithshëm kolonel Hoxha, kryetari i Komunës z. Krasniq, eprorë e zyrtarë të Policisë së Kosovës si dhe përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, raporton GazetaBlic.

Sipas njoftimit, përurimin e objektit të ri e bënë: ministri Damka, drejtori i Përgjithshëm kolonel Hoxha, drejtori i Drejtorisë Rajonale Prizren si dhe kryetari i Komunës së Mamushës. Për përkushtimin profesionalizmin si dhe mbështetjen gjatë projektit, Kolonel Hoxha ndau mirënjohje për Kryetarin e Komunës z. Krasniq, Komandantin e Stacionit në Mamushë Toger Orqusha si mbikëqyrësen e projektit, znj Latifi.

Tutje thuhet se objekti i ri i Stacionit Policor është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të Policisë së Kosovës, me qëllim të ofrimit të një sigurie dhe shërbimi sa më efikas në këtë rajon, në veçanti për banorët e Komunës së Mamushës.