Avokati Arianit Koci, përmes një postimi në rrjetin social facebook, thotë se bastisja e shtëpisë së ish drejtorit të AKI-së, është një zhvillim që kërkon reflektim të kujdesshëm.
Shqetësimi i tij lidhet me garantimin e informacioneve që eventualisht mund të jenë gjetur gjatë bastisjes, ku Koci shton se informacione të tilla duhet të mbeten të mbrojtura.
Ai tregon se nëse keqpërdoren këto informacione mund ta cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës.
Ndër të tjera ai thotë se me çdo kusht duhet të ruajm bashkëpunimet dhe komunikimet strategjike me partnerët ndërkombëtaër në sferën e intelegjencës.
Postimi i plotë:
Bastisja e shtëpisë së ish-drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI), me vendim gjykate dhe sipas ligjeve pozitive, është një zhvillim që kërkon reflektim të kujdesshëm.
Respektimi i plotë i procedurave ligjore është thelbësor për ruajtjen e parimeve të një shteti demokratik dhe funksional.
Megjithatë, nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare, shqetësimi im kryesor lidhet me garantimin se çdo informacion i ndjeshëm apo i klasifikuar që evetualisht mund të jetë gjetur gjatë bastisjes, dhe që nuk ka lidhje me rastin penal, të mbetet i mbrojtur.
Informacione të tilla, nëse keqpërdoren, mund të cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës.
Kam besim të plotë se institucionet përkatëse do të veprojnë me kujdes dhe përgjegjësi për të shmangur çdo rrezik të tillë.
Po ashtu, është jetike që të ruajmë me çdo kusht bashkëpunimet dhe komunikimet tona strategjike me partnerët ndërkombëtarë në sferën e inteligjencës.
Këto marrëdhënie janë të një rëndësie të veçantë për stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë dhe nuk duhet të dëmtohen në asnjë mënyrë!
Agjencia e Inteligjencës së Kosovës është një shtyllë kyçe e sigurisë sonë kombëtare, dhe ruajtja e integritetit të saj, si dhe besimi i qytetarëve dhe partnerëve tanë, duhet të mbetet prioritet absolut.
Ky moment duhet të shërbejë si një mësim për të forcuar më tej protokollet e mbrojtjes së informacioneve të klasifikuara dhe për të ruajtur besimin në institucionet tona.


