Lajme

Xani: S’besoj se ndonjë parti do të arrijë të paraqesë lista me 50% gra!

12/06/2024 12:41
nga:Y I

Lidhja Demokratike e Kosovës është, partia e parë, e cila ka bërë publike listën e kandidatëve për deputetë.

Në përbërje të kësaj liste 36% janë gra si dhe bëjnë pjesë edhe pesë kandidatë nga diaspora.

Në lidhje me përfshirjen e grave në këtë listë, nën kuotën 50%, ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i zhvillimeve politike, Visar Xani.

Xani tha se mospërmbushja e kësaj kuote tregon se përpjekjet për barazinë gjinore në politikë ende nuk po realizohen plotësisht.

“Publikimi i listave për deputetë nga LDK dhe mospërmbushja e kuotës 50% për gratë tregon se përpjekjet për barazinë gjinore në politikë ende nuk po realizohen plotësisht, pavarësisht angazhimeve publike. Në fakt, kjo situatë e përforcon idenë se sfida e përfaqësimit të barabartë gjinor mbetet larg zgjidhjes” tha Xani për “Gazeta Blic”.

Ai shprehet se nuk ka besim që ndonjë parti do të arrijë të paraqesë lista me 50% gra.

“Nuk besoj se në këto zgjedhje ndonjë parti do të arrijë të paraqesë lista me 50% gra. Megjithatë, nëse ndonjë parti vendos të thyejë akullin dhe arrin të bëjë një veprim të tillë, duhet vlerësuar jashtëzakonisht shumë, pasi do të shërbente si një shembull i rëndësishëm për avancimin e barazisë gjinore dhe si një model për partitë e tjera” tha Xani në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Visar Xani, Analist politik!

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se lista që ata kanë publikuar përmban individë me integritet personal me përvojë dhe profesionistë në fusha të ndryshme.

“Kjo listë e kandidatëve për deputetë, përmban individ me integritet personal, politikanë me përvojë shembullore, profesionistë të fushave të ndryshme, e të rinj e të reja.Në këtë listë, për herë të parë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 36% të kandidatëve gra. Përderisa, pjesë e kësaj liste janë edhe 5 kandidatë nga mërgata.110 emrat e listës së kandidatëve për deputet, në zgjedhjet e 9 shkurtit do ta bëjnë ndryshimin e madh” tha Abdixhiku raporton “Gazeta Blic”

/Gazeta Blic/

LDK publikon e para listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit