Policia rajonale e Ferizajt, në kuadër të fushatës “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore” në bashkëpunim me përfaqësues të komunës së Ferizajt, Qendrës për Punë Sociale, Shtëpisë së Sigurt dhe akterë tjerë, sot në sheshin e Ferizajt ka mbajtur aktivitetin me moton “Ju jeni forca që thyeni heshtjen!”.
Në njoftim bëhet e ditur se kjo fushatë synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të parandalojë dhunën në familje. Gjithashtu përmes kësaj fushate policia rajonale në bashkëpunim edhe me institucione tjera tregon angazhimin dhe përkushtimin për luftën kundër dhunës në familje dhe mbështetjen për viktimat.
“Angazhimi i çdo qytetari është i domosdoshëm për të thyer heshtjen dhe për të raportuar rastet e dhunës në familje. Andaj apelojmë te qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë. Për të gjitha rastet e dhunës në familje të lajmërojnë stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet tutje në njoftim të Policisë së Kosovës.






