Mbrëmë ministri i bujqësisë, Faton Peci ka organizuar Darkën e Lamës, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Kurti, por jo edhe presidentja Osmani, raporton Gazeta Blic.
Darkën e Lamës e ka organizuar çdo vit presidentja Vjosa Osmani, sikur edhe këtë vit, në muajin tetor.
- Kështu tha për Gazeta Blic Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes Osmani.
“Darka e Lamës, e inicuar nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova është traditë të cilën Presidentja Osmani e ka vazhduar çdo vit, përfshirë sivjet më 26 tetor 2024. Çdo vit nderohen grupe të ndryshme, ndaj përgjatë kësaj pjese të mandatit të Presidentes Osmani, kjo darkë është shtruar për: trupin diplomatik, Policinë e Kosovës në kampin “Enver Zymberi”, banorët e Shtëpisë së të Moshuarve dhe më 26 tetor të këtij viti, me fëmijët dhe të rinjtë e fshatit SOS”, ka thënë Kupina.
Duke mos dhënë detaje nëse Osmani pati ftesë nga ministri Peci, ai shtoi se kjo darkë është organizim nën patronatin e institucionit të Presidencës, institucion ky që sipas Kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit.
“Ruajtja e kësaj trashëgimie është thelbësore për ta vazhduar traditën tonë kombëtare dhe institucionale. Në përputhje me vizionin e Presidentit Rugova, Darka e Lamës është një organizim nën patronatin e institucionit të Presidencës, institucion ky që sipas kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, e po ashtu mbahet në tetor për shkak të kohës kur mblidhen dhe vilen të mirat e tokës sonë. Pra, ashtu siç është nisur nga Presidenti Rugova, ashtu është vazhduar deri tash nga Presidentja Osmani”, tha Bekim Kupina, këshilltar për Media./Gazeta Blic/


