Ministri i Administratës Publike në Mal të Zi, njëherësh anëtar i Alternativës Shqiptare, Marash Dukaj, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetari pro-rus të Kuvendit të këtij vendi, Andrija Mandiq.
Ai thotë se deklarimet e Mandiqit janë “shtrembërim i tezave dhe tallje me publikun”.
Kryeparlamentari malazez, manastirin e Deçanit e quan faltore serbe – i kërkon Kosovës t’i lirojë bashkëkombësit e tij
Sipas tij, “shqiptarët nuk kanë dalë askund në Mal të Zi dhe kanë thënë se kjo është Shqipëri, as e madhe as asnjë tjetër”.
Madje sipas tij, edhe nëse dikush do ta provonte këtë, “ne nuk do ta mbështesnim”.
Duke u ndalur te arrestimi i tre shtetasve malazezë në Kosovë, dy prej të cilëve janë pjesëtarë të Ushtrisë, Dukaj iu kundërpërgjigj kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq.
Ky i fundit tha se tre shtetasit malazezë “shkuan në një faltore serbe”, duke iu referuar kështu manastirit të Deçanit.
“Pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi shkuan në shtetin e Kosovës – të cilin Mali i Zi zyrtarisht e njohu para një dekade e gjysmë – por me mbishkrimin se Kosova është diçka tjetër, jo ajo që është sipas rregullave ndërkombëtare dhe Kushtetutës së saj”, tha Dukaj.
Kryetari pro-rus i Kuvendit malazez, dje i kërkoi Kosovës që t’i lirojë tre qytetarët e Nikshiqit, të cilët u arrestuan të dielën që lamë pas në afërsi të manastirit të Deçanit. Ata u arrestuan pasi në targat e veturës me të cilën po udhëtonin kishin mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Mandiq, i cili është i deklaruar serb, në të kaluarën i është referuar institucioneve të Kosovës si “institucione të përkohshme”.