Sporti

Kirurgu plastik padit Ronaldon: Ka një çështje ligjore në proces

11/26/2024 13:46
nga:Mergim Rreci

Dr. Roshan Ravindran, i njohur si Dr. Rosh, pretendon se ish-ylli i Manchester United, 39-vjeçari Cristiano Ronaldo, i detyrohet për trajtime plastike të kryera gjatë kohës që luante me klubin e “Old Trafford”, në vitet 2021 dhe 2022.

Shuma që pretendon kirurgu plastik se i detyrohet portugezi është 40 mijë euro.

Ish-kardiologu, i specializuar në botoks, mbushës, kujdesin e lëkurës dhe ngritjen e vetullave, ka përmendur Ronaldon, i famshëm për festimin e tij të golit “siuuu”, në një dokument zyrtar gjyqësor.

Ndërsa partnerja e Ronaldos, Georgina Rodríguez, 30 vjeçe, nuk përmendet në mënyrë specifike, pretendimi përfshin se Dr. Rosh ka ofruar shërbime për Ronaldon dhe anëtarët e familjes e rrethit të tij në klinikën private në Cheshire.

Kur u pyet për koment, Dr. Rosh, i cili drejton gjithashtu degë të KLNIK në Manchester dhe Londër, tha: “Ka një çështje ligjore në proces dhe, si profesionist, nuk diskutoj publikisht për pacientët e mi”.

Një burim shtoi: “Dr. Rosh është shumë i respektuar, ekspert i heshtur për figura që përfshijnë politikanë të njohur, anëtarë të familjeve mbretërore, yje të sportit dhe ikonat e Hollywood-it.

Kur bëhet fjalë për procedura si botoksi dhe mbushësit, dr. Rosh është padyshim zgjedhja numër një. Klientela e tij vlerëson diskrecionin absolut dhe trajtimet e klasit botëror”.

Ronaldo, i cili tani luan në Arabinë Saudite, me një pagë prej 173 milionë paundësh në vit, nuk ka bërë ende një koment mbi këtë çështje.