Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Kryeministër, Bedri Hamza, ka shprehur angazhimin e tij për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me diasporën, veçanërisht me mjekët shqiptarë që punojnë në Zvicër, raporton GazetaBlic.
Hamza, gjatë një takimi të zhvilluar me Lidhjen e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, ka theksuar se mjekët dhe infermierët shqiptarë në këtë vend janë të integruar mirë dhe kontribuojnë në forcimin e sistemit shëndetësor atje.
“Gjatë vizitës, pata mundësinë të takohem me një grup mjekësh me përvojë të jashtëzakonshme, të udhëhequr nga Dr. Mentor Bilali. Ata janë bashkatdhetarët tanë që, edhe si mantelbardhë, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, duke kontribuar jo vetëm në sistemin shëndetësor të Zvicrës, por edhe për të përmirësuar shëndetësinë e Kosovës,” tha Hamza.
Kandidati për Kryeministër theksoi se Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm për të përfituar nga eksperienca dhe përvoja e mjekëve të diasporës, dhe një nga prioritetet e tij është krijimi i mundësive për bashkëpunim më të ngushtë me ta.
“Kosova synon të rrisë cilësinë e shërbimeve shëndetësore jo vetëm duke investuar në pajisje moderne, por duke sjellë gjithashtu ekspertë ndërkombëtarë që do të trajnojnë personelin mjekësor të Kosovës,” u shpreh Hamza.
Ai theksoi se një hap i rëndësishëm në këtë proces është krijimi i një platforme të veçantë që do të lidhë mjekët e Kosovës me ata të diasporës, duke mundësuar shkëmbimin e përvojave dhe mbajtjen e simpoziumeve shkencore që do të përmirësojnë aftësitë e mjekëve kosovarë.