Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për Marko Dantiq, i dyshuar për pjesëmarrje në sulmet ndaj KFOR-it në Zveçan në maj të vitit 2023.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi ka konfirmuar për Telegrafin duke thënë se masa e paraburgimit i është caktuar në kohëzgjatje prej 1 muaji.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale të të pandehurit M.D, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi dhe veprën penale Sulmi ndaj personit zyrtar.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.D dhe të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, potencoi ajo.
Ndryshe, Marko Dantiq u arrestua ditën e premte për sulmet e majit të vitit 2023.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhej se ai dyshohet për veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi”, dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.