Lajme

I ligjshëm apo i paligjshëm projekti “Verë n’Dimër” në kryeqytet? Flasin pozita dhe opozita!

11/16/2024 16:55
nga:N K

Ka vite me radhë që hapësirat e sheshit të Prishtinës, gjatë sezones së dimrit marrin një pamje tjetër.

Janë pikërisht shtëpizat ato të cilat janë të mbushura me biznese të ndryshme.

Këtë vit projekti ‘Verë n’Dimër’, do të fillojë në fillim të muajit dhjetor, saktësisht më 01.12.2024.

Kështu bënë të ditur për GazetaBlic, drejtori i NPL “Sprot &Marketing” në komunën e Prishtinës, Bardh Krasniqi, i cili ka përsipër këtë projekt.

Ai këtë projekt e lartëson duke e quajtur edhe madhështor.

Ku sipas Krasniqit, çmimi i qirasë së një shtëpize do të jenë më e lartë në krahasim me ato të viteve të kaluara.

“Tash nëse kthehemi prapa në të kaluarën është bërë me aq sa ka pasur mundësi, ne e dimë që ndoshta prej 12 vitesh nuk është investim as në shtëpiza as në pjesën e zhvillimit të projektit, ndërsa tani unë po e quajë projekt shumë i madh me shumë akttivitete artistike, aktivitete edukimi, aktivitete për fëmijë. Dhe kjo e bën e krijon atë formën e nxjerr një qira të shtëpizës. Dhe sivjet është çmimi më i lartë sepse kemi çka me ofru. Për herë të parë po e bëjmë edhe pjesën e patinazhit si aktivitet i fundvitit, do të ketë edhe lodra për fëmijë. Pastaj kemi edhe shtëpizat e reja në të cilat investimet bëhen nga sektori privat dhe ky shtë një model që jo gjithkund në botë e praktikojnë”, tha ai.

I pyetur Krasniqi se kur do të fillojnë vendosja e shtëpizave të reja pasiqë jemi në afrim të kohës kur do të hapen, deklaroi se gjatë javës së ardhshme veçse do të ia fillojnë procedurave.

E një projekt të tillë, opozita në këtë komunë e quan të paligjshëm.

Gëzim Sveçla, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në një prononcim dhënë për GazetaBlic, thekson se kjo është shkelja e radhës që po ndodhë në raport me këtë projekt.

“I gjithë eventi “Verë n’Dimen”, për nga forma si ështe planifikuar të mbahet kësaj radhe, ështe i paligjshem. Kryetari Rama përmes një vendimi i ka bartur kompetencat e organizimit te ndërmarrja “Sport Marketing”. Këtë vendim MAPL e ka vlerësuar të jashtëligjshem. Megjithate, “Sport Marketing” ka vazhduar me procedura të organizimit dhe ka hyrë në kontratë me një operator ekonomik privat për bashke-menaxhim të projektit. Këtu është shkelja e radhës, sepse edhe në vendimin e kontestuar të z.Rama nuk flitet për palë të treta, por e drejta e organizimit bartet te ndërmarje publike komunale. Kjo kontratë gjithashtu ka shkelje të tjera ligjore siç janë plani i vendosjes se kiosqeve pa pëlqim të komunës, pastaj çështja e bartjes së fitimeve të sponsorizimeve te operatori ekonimik, si dhe kohëzgjatja e kontratës për 5 vite e që është krejt e paligjshme dhe nuk përmendet as në aktin me të cilin kryetari e ka autorizuar ndërmarrjen. Pra, në këtë rast ka tejkalim të kompetencave dhe autorizimeve”, tha Sveçla.

Por, Krasniqi ndaj këtyre kritikave të opozitës nuk ndjehet i kënaqur, që sipas tij, qasja e tyre është dëm për qytetin dhe qytetarët.

“Opozita mendoj se këtë punë e ka, ti luftojë të gjitha punimet e mira , unë ashtu e shoh. Mirëpo, nuk jam i lumtur me qasjen e tyre sepse në fund të ditës po punojmë në një projekt i cili është për qytetin dhe Prishtina nuk bënë me u dallu as prej Tiranës sepse zakonisht i marrim shembull vendet që i kemi afër. Fatkeqësisht kjo është në dëmë të krejt qytetit dhe i qytetarëve”, u shpreh drejtori.

Në mes të kësaj, ai ka një edhe një thirrje për ta.

“Unë i bëjë thirrje që mos ti bojkotojnë projektet e mira edhe pse nuk është mundësia që të bojkotohet sepse gjithçka është brenda ligjit, çka na lejohet kemi bërë. Kështu që i thërras edhe opozitën që të dalin të festojnë të relaksohen pak se i kanë zgjedhjet”, kërkoi ai.

Duke pasë parasysh çmimin e qirasë së këtyre shtepizave që do të jenë në ambientet e jashtme të sheshit, shefi i asambleistëve thotë se këto çmime dëshmojnë mendjen e tyre “gërryese dhe abuzuese”, të kësaj qeverisje.

“Çmimi i qirasë është storie në vete që dëshmon edhe njëherë për mendësinë gërryse dhe abuzuese të qeverisjes së LDK-së në raport me qytetarët, konkretisht gastronomët në këtë rast, por edhe ndaj pasurisë së përbashkët publike. 4602 euro është çmimi i qirasë për 45 ditë, për një shëpizë me dimensione 2×2, sipas kësaj kontrate. Nuk e di cila është llogaria e atyre gastronomëve që vendosin të marrin shtëpizë në shesh”, u shpreh ai.

E Sveçla ka një pyetje: Çka kanë me shitë aty? Sa duhet me i ngritë ato çmime të produkteve për me arritë me i mbulu kostot?

Ndryshe, ai bën edhe një krahasim të çmimeve me kohën kur ishte në qeverisje Lëvizja Vetëvendosje, duke theksuar se një qira e shtëpizës ka qenë 90 euro.

“Duhet kujtuar se gjatë qeverisjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë çmimi qirasë së shtëpizave ka qenë 90 euro. E pafavorshme për komunën, për ndërmarrjen, është edhe pjesa e ndarjes se të hyrave 1/4 në raport me operarorin ekonomik, ku nga të hyrat e qirasë “Sport Marketing” merr me pak se 100 mijë euro, kurse vlera totale e qirasë për 120 shtëpiza është mbi gjysmë milioni euro”, potencoi ai.

Ndryshe, sipas tij në lidhje me këtë marrëveshje, nuk fiton komuna as nuk fitojnë gastronomët, por e njëjta i pasuron individë të caktuar të pushtetit lokal dhe të afërt me këtë pushtet.

/GazetaBlic/