Skuadra e futbollit, 2 Korriku nga Prishtina po shkruan historinë me paraqitjet e jashtëzakonshme në kualifikueset e Ligës së Kampionëve për të rinj.
Ekipi kosovar ka triumfuar në Irlandë ndaj UC Dublin me rezultatin 1-3, pasi paraprakisht kishin fituar 2-1 në Prishtinë dhe me rezultatin e përgjithshëm 5-2, ekipi nga kryeqyteti ka siguruar kalimin tutje dhe tani një fitore i ndan larg 32 skuadrave më të mira në Europë.
Një nga lojtarët kyç të këtij suksesi te skuadra kosovare është, Rin Ahmeti.
Ahmeti në një intervistë për GazetaBlic Sport deklaroi se kjo arritje ka bërë krenar çdo anëtar të klubit teksa potencon se përkrahja është e domosdoshme në këtë fazë.
“Është diçka që e kam të vështirë ta përshkruaj. Kemi arritur një sukses historik, për të cilin jemi krenar secili futbollist e anëtar i klubit.
Secila fitore po na ndihmon në shtimin e vetbesimit. Ne natyrisht se çdo herë shkojmë për të fituar. Të njëjtën gjë do ta kerkojmë dhe në raundin e tretë dhe pse jo te kalojmë tutje.
Jam shumë falenderues për përkrahjen ndaj nesh. Besoj shumë se diçka e tillë do të më ndihmoj gjithnjë, sepse përkrahja është e domosdoshme në raste të tilla”, tha Ahmeti për GazetaBlic Sport.
2 Korriku në ndeshjen e ardhshme do të ballafaqohet me Dinamo Kiev U19.
Ndeshja e parë do të zhvillohet me 27 nëntor, teksa ndeshja e kthimit luhet në Prishtinë me 10 dhjetor.
/GazetaBlic Sport/