Paris Saint-Germain u mposht 2-1 nga skuadra spanjolle Atletico Madrid në Ligën e Kampionëve të mërkurën mbrëma, megjithëse ndeshja u la në hije nga një pankartë e madhe që mbulonte një pjesë të Parc des Princes para fillimit me mbishkrimin “Free Palestina”.
“Lufta në fushë, por paqe në botë”, lexohej një mesazh poshtë banderolës.
Baneri i tifozëve francezë u prezantua teksa Izraeli përshkallëzoi operacionet ushtarake kundër Hamas në Gaza.
UEFA, organi drejtues i futbollit evropian, ka deklaruar se klubi nuk do të përballet me asnjë dënim.
“Nuk do të ketë asnjë rast disiplinor sepse flamuri që u shpalos nuk mund të konsiderohet provokues apo fyes”, tha një zëdhënës i UEFA-s për mediat ndërkombëtare.
Ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Retailleau shprehu pakënaqësinë e tij përmes mediave sociale.
“I kërkoj PSG-së të shpjegojë veten dhe klubet të sigurojnë që politika të mos dëmtojë sportin, i cili duhet të mbetet gjithmonë një burim uniteti”, tha ai, duke shtuar se veprime të tilla u ndaluan si nga futbolli francez ashtu edhe nga UEFA.
“Nëse kjo do të ndodhë përsëri, ne do të duhet të konsiderojmë ndalimin e banderolave për klubet që nuk zbatojnë rregullat”.
Në një intervistë të mëvonshme me Sud Radio, Retailleau nuk e fshehu zemërimin e tij, duke e quajtur banderolën “të papranueshme”. “Dua të di më shumë dhe tani se si u shpalos ky flamur. Shefi i policisë së Parisit (Laurent Nunez) shpjegoi se çfarë ndodhi. Ne ramë dakord për një numër të caktuar gjërash, por unë po kërkoj llogari,” shtoi ai.
/GazetaBlic Sport