Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka uruar Donald Trumpin për fitore në garën për president të Amerikës, nga burgu.
Ai thotë se Partia e Lirisë do të mbetet gjithmonë e angazhuar për forcimin e mëtejshëm të partneritetit dypalësh strategjik në fushën e sigurisë dhe në NATO.
“Urimet më të përzemërta, në emrin tim dhe të Partisë së Lirisë, për Ju President i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për këtë Fitore të Madhe dhe rikthim të merituar dhe me plot sakrifica të betejës Tuaj të pandalshme për mbrojtjen e vlerave të SHBA dhe kombit mik amerikan. Triumfi Juaj është një mesazh i çmuar që kombi amerikan i jep botës se fati i demokracisë është vetëm në duart e qytetarëve dhe se sa të shtrenjta janë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, demokracia dhe pluralizmi, shteti i së drejtës dhe barazia para ligjit edhe për qytetarin e thjeshtë përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese anti-vlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë. Besimplotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën lidershipin Tuaj, Zoti President, do të vazhdojnë të jenë frymëzim dhe mbështetje e pazëvendësueshme për popullin shqiptar. Partia e Lirisë do të mbetet gjithmonë e angazhuar për forcimin e mëtejshëm të Partneritetit dypalësh Strategjik në fushën e sigurisë dhe në NATO dhe besoj se, nën drejtimin Tuaj, ne do t’i forcojmë këto lidhje dhe zgjerojmë më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat, në interes të të dy vende dhe popujve tanë miq”, ka shkruar Meta I cili është arrestuar pak javë më parë.