Sporti

Arlind Shabani: Patëm fillim të vështirë, por momentalisht jemi ndër skuadrat më në formë në Superligë – ndaj Dritës besojmë në rezultat pozitiv

11/04/2024 19:11
nga:E K

Ferizaj pati një fillim të vështirë në këtë sezon të Superligës së Kosovës.

Skuadra e Ferizajt megjithatë ka gjetur formën duke fituar dhjetë pikë në pesë duelet e fundit në futbollin elitar të Kosovës.

Lojtari i Ferizajt, Arlind Shabani ka komentuar formën e ekipit të tij për GazetaBlic Sport duke thënë se skuadra ka gjetur rrugën drejt rezultateve pozitive pasi momentalisht janë ndër skuadrat më në formë në Superligë.

“Normalisht, si çdo ekip tjetër, edhe ne kishim një periudhë krize në fillim të këtij sezoni, duke pasur disa humbje radhazi. Mirëpo, në asnjë nga këto ndeshje nuk kemi qenë inferiorë; përkundrazi, kemi treguar futboll cilësor me lojë të bukur, ku besoj se në shumicën e këtyre humbjeve e kemi merituar të dalim të paktën me rezultat pozitiv. Këto ndeshje të mira, pavarësisht humbjeve, dhe përkrahja e besimi nga kryesia e klubit, së bashku me stafin e trajnerëve, kanë bërë që ne të kthehemi edhe më të fortë, duke arritur 10 pikë në 5 ndeshjet e fundit, ku jemi një nga ekipet me formën më të mirë momentale.

Ne, si ekip, do t’i qasemi çdo ndeshje radhazi me fokus maksimal, që të japim maksimumin si lojtarë, duke e pasur gjithmonë kryesinë që na mbështet, për t’i arritur qëllimet tona dhe për të qenë sa më lart në tabelë.

Edhe me Dritën do të jetë një ndeshje ku do të luftohet shumë në fushë. Do të jemi vendas dhe me përkrahjen e tifozëve tanë, besoj se do të dalim me rezultat pozitiv nga ajo ndeshje”, tha Shabani për GazetaBlic Sport.