Lajme

Takimi trilateral në Bruksel, Qeveria del me njoftim

10/24/2024 18:52
nga:G B

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në takimet e radhës të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të zhvilluara në Bruksel.

Gjatë këtyre takimeve, siç njofton zyra e Kryeministrit, që përfshinë një seancë bilaterale dhe një trilaterale, u trajtuan një sërë temash të rëndësishme për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.

Në takimin bilateral me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Bislimi shprehu rëndësinë e zbatimit të kësaj marrëveshjeje në tërësi dhe pa vonesa të mëtejshme.

“Fillimisht, u mbajt një takim bilateral me Përfaqësuesin Special të BE-së, emisarin Miroslav Lajçak, ndërsa më pas u mbajt dhe një takim trilateral. Në takimin bilateral u trajtuan një mori temash, gjersa në takimin trilateral, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, nga Brukseli, Bislimi ka thënë se takimi mes tij dhe homologut të vet serb, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, përfundoi pa “asnjë rezultat në temat e rëndësishme” të enjten në Bruksel.

Sipas njoftimit, Bislimi gjithashtu nënvizoi nevojën për të nënshkruar marrëveshje të reja si garanci për zbatimin e tyre, duke përmendur pengesat e krijuara nga Serbia, që refuzon marrëveshjen dhe vazhdon të vendosë vija të kuqe që shkelin frymën e dokumentit.

Ai gjithashtu kërkoi që Serbia të tërheqë letrën e depozituar nga ish-kryeministrja Ana Brnabiq dhe të dorëzojë Millan Radoiçiqin, të akuzuar për organizimin e aktit terrorist në Banjskë.

“Në takimin bilateral me emisarin Lajçak si dhe në atë trilateral, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, e atë në tërësi dhe pa vonesa të mëtejme, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve.

Ai nënvizoi dhe nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, patur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të marrëveshjes nga Serbia dhe vijat e saj të kuqe që shkelin frymën dhe nenet e marrëveshjes, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Brnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës”, thuhet më tej në njoftim.

Një tjetër temë e rëndësishme e trajtuar në takimin bilateral ishte çështja e personave të pagjetur, ku Serbia akuzohet se po pengon përparimin në zbatimin e deklaratës së përbashkët për këtë çështje.

“Ndërkohë, një nga temat e trajtuara në takimin bilateral me emisarin Lajçak, ka qenë dhe çështja e personave të pagjetur, ku Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës së përbashkët. Gjithashtu u diskutua edhe për marrëveshjet mbi lirinë e lëvizjes, energjinë dhe vizitat zyrtare. Emisari Lajçak vlerësoi hapjen e qendrës për inspektime teknike në veri, gjersa përmendi që brenda një muaji do të lëshohen linjat e interkoneksionit duke avancuar me zbatimin e marrëveshjes së energjisë”.

Bislimi thotë se takimi me Petkoviqin në Bruksel përfundoi pa rezultat “në tema të rëndësishme”

Petkoviq nga Brukseli pas takimit: Insistova në formimin e Asociacionit