Lajme

Asambleisti i VV-së: Prishtina rezulton më së keqti në realizimin e premtimeve, si dhe ka situatë ‘alarmante’ me qentë endacakë

10/22/2024 10:50
nga:N K

Asambleisti nga radhët e Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, Faton Zeka shprehet kritik ndaj të parit të komunës, Përparim Rama.

Zeka në një intervistë dhënë për GazetaBlic, thotë se kryeqyteti rezulton më së keqti në lidhje me përmbushjen e premtimeve, që sipas tij asnjë nga platformat lidhëse nuk ka arritur me i përfundu.

“Qysh e kemi parë edhe në analizën e Insituti GAP, por edhe nga të dhënat që i shohim çdo ditë dhe i prekim, Prishtina rezulton më së keqti në realizim të premtimeve. Ne do të dëshironim që të ishte e kundërta sepse ne jetojmë këtu, por s’ka arritur të i realizojë ato që i ka premtuar. Asnjë nga platformat lidhëse që i ka premtuar, as Arbërinë me qendrën e as Kalabrinë me Dardani, as tunelin ‘Agim Ramadani’, nuk ka arrit akoma me i përfundu. Të gjitha janë në projektim e në rrugë, por nuk kanë arritur të përfundohen”, tha ai.

E në lidhje me problemin e qenve endacakë në kryeqytet, Zeka thekson se është një situatë alarmante, që të njejtit kanë kërkuar një zgjidhje sa më të shpejt në lidhje me këtë çështje.

“Në seancën e fundit, ne kemi diskutuar për çështjen e qenve endacakë, është një situatë alarmante me qentë endacakë. Në javën e fundit i kemi dy kafshime në oborrin e QKUK-së, e cila njëra prej tyre është një vajzë e mitur, 16 vjeç, e cila është kafshuar goxha shumë nga qentë dhe rrezikon shëndetin e saj, dhe akoma është duke u trajtuar në QKUK. Edhe drejtori i Urologjisë është kafshuar po ashtu nga qentë endacak në QKUK. Ne atë ditë kërkuam nga kryetari, i cili nuk ishte në seancë, por edhe nga drejtori i shërbimeve publike që të ketë hapa emergjent dhe të bshkëpunohet me nivelin qendror, që të bëhet një zgjidhje sa më e mirë për qentë endacak, që ata të merren ose të sterilizohen, të përgatiten që mos të jenë të egër tash kur po hyjmë në një seonë të ftohtë”, potencoi ai.

Ndër të tjera, sipas asambleistit të VV-së, të njejtit si opozitë i kanë ‘ofruar’ ndihmë kryetarit Rama, në lidhje me këtë çështje.

E, që shumën buxhetore të ndarë për heqjen e qenve endacakë, Zeka e vlerëson jo serioze dhe të pamjaftueshme.

“Ai premtoi që janë duke punur shumë, dhe ne i thamë që po pate nevojë  bëjmë një mbledhje urgjente vetëm për qentë endacakë dhe nëse ka mundësi buxhetore e shtojmë në drejtim të qenve sepse shuma që është nda, 6 mijë euro nuk është serioze dhe nuk mjafton për tu trajtuar mijëra qentë endacak që janë në Prishtinë”, përfundoi Zeka.

/GazetaBlic/