Lajme

‘Forumi i parë Ekonomik i Kosovës në Paris’, Kurti: Së bashku mund të ndërtojmë një ekonomi të fortë dhe një të ardhme që të krenohemi!

10/18/2024 20:01
nga:Y I

Në kryeqytetin e Francës, në Paris, sot u mbajt Forumi i parë Ekonomik i Kosovës në Paris, me përfaqësues të qeverisë, agjencive zhvillimore dhe kompanive franceze, nën organizimin e Zyrës së Kryeministrit.

Krahas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili e bëri hapjen e këtij forumi, të pranishëm dhe pjesëmarrës në këtë forum ishin edhe katër ministra të kabinetit qeveritar, përkatësisht ministrja Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ai i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, të cilët patën nga një fjalë rasti, si dhe Ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi dhe Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi.

Në adresimin e tij hyrës, kryeministri Kurti renditi arsyet, nënvizoi përparësitë dhe veçoi sektorët me më së shumti mundësi për investime të huaja.

Ai paraqiti para të pranishmëve potencialin dhe ofertën e Kosovës për investitorë të huaj në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit Digjital, Turizmit, Energjisë, Prodhimit të lehtë, dhe Agrikulturës.

Pozita gjeografike e vendit, rinia e arsimuar, e talentuar, kreative, që flet më shumë se një gjuhë të huaj, politikat fiskale dhe sistemi tatimor i leverdishëm, progresi demokratik në vitet e fundit, sundimi i ligjit, stabiliteti institucional dhe investimet në infrastrukturë, si dhe planet për mbi 50 projekte të infrastrukturës në transport, mjedis dhe energji, janë elementet kyçe që e bëjnë Kosovën tërheqëse për investitorë të huaj, veçoi kryeministri Kurti, teksa u bëri ftesë të pranishmëve dhe kompanive franceze që të investojnë në Kosovë.

“Kjo është më shumë se një ftesë për të investuar në Kosovë. Është ftesë për të qenë pjesë e transformimit tonë dhe ftesë për të rritur e thelluar miqësinë tonë. Së bashku, mund të ndërtojmë një ekonomi të fortë, një rajon më prosperues dhe një të ardhme për të cilën të gjithë mund të krenohemi”, tha Kurti, thuhet në njoftimin nga Kryeministria.