Sporti

Skandaloze dhe e turpshme: Anëtari i Komitetit Ekzekutiv i FFK-së, Naser Ajeti pëlqen postimin ku sulmohen e ofendohen disa nga mediumet më të mëdha kosovare

10/18/2024 15:53
nga:Mergim Rreci

Mos-akreditimi i disa mediave kosovare nga Federata e Futbollit të Kosovës tashmë është kthyer në çështje në mediat sociale, teksa po komentohet nga njerëz të ndryshëm.

Kosova zhvilloi dy ndeshje në muajin tetor, ku fatmirësisht arriti dy fitore, fillimisht ndaj Lituanisë (1:2), e më pas në shtëpi ndaj Qipros (3:0). Pikërisht për ndeshjen e dytë, e cila u zhvillua në shtëpi, pra në stadiumin “Fadil Vokrri”, mediat si GazetaBlic Sport, Nacionale e RTV Dukagjini u injoruan nga institucioni kryesor i futbollit në vendin tonë, FFK, duke mos u akredituar. Të njëjtin problem e pati edhe gazetari sportiv, Arlind Sadiku, i cili me një postim në Facebook, njoftoi se FFK u ankua tek UEFA që ai të mos akreditohej.

E duket se dikush iu gëzua lajmit se disa nga gazetarët sportiv, të mediumeve të fuqishme e besueshme në Kosovë mbeten pa të drejtën e tyre minimale, akreditimin për ndeshjen e kombëtares së Kosovës.

Gazetari nga Lugina e Preshevës, Nexhat Behluli në rrjetin social, Facebook, ka publikuar një fotografi me Agim Ademin, ku çuditërisht shprehet i lumtur me mosakreditimin e GazetaBlic, Nacionales e RTV Dukagjinit.

Madje ai brenda atij postimi, përdori edhe sharje e ofendime, të cilat janë jashtëzakonisht të papranueshme.

Megjithatë, kështu nuk po i konsideron anëtari i Komitetit Ekzekutiv i FFK-së, Naser Ajeti, i cili e ka pëlqyer postimin ku ofendohen rëndë gazetarët e sportit, të cilët nuk janë akredituar nga FFK.

Ajetit i ka pëlqyer shkrimi i gazetarit nga Lugina e Preshevës, i cili është shprehur i lumtur në mosakreditimin e mediave të lartëpërmendura, veprim i cili është skandaloz.