Lajme

Njëri i akuzuar jashtë vendit, shtyhet seanca ndaj zyrtarëve të Aeroportit “Adem Jashari”

10/17/2024 12:02
nga:N K

Në mungesë të të akuzuarit Faton Gurguri, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku i njëjti bashkë me tre të tjerë, në cilësinë e zyrtarëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, akuzohen për korrupsion.

Në këtë rast, Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj dhe Martin Biserov-Alekov po akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar,” veprim që pretendohet të jetë kryer në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Gurguri, mbrojtësi i tij, avokati Sevdaim Zejnullahu tha se i njëjti nuk ka mundur të jetë i pranishëm në seancën e sotme për shkak se gjendet jashtë vendit.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme u shty për një datë tjetër.

Ndryshe, më 26 qershor 2020 Gurguri, Bujupi dhe Xhekaj ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen në barrë, kurse më 10 shtator 2020 po ashtu i pafajshëm ishte deklaruar edhe Biserov-Alekov.

Lënda në këtë rast është gjykuar nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj në shqyrtime fillestare, por tashmë ka kaluar të gjykatësi Gëzim Ademi pasi që Kuka-Mekaj vijon punën si gjykatëse në Gjykatën Themelore në Pejë, kurse lënda duhet gjykuar në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 prill 2020, të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtarë të licencuar operatorë për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov-Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikës dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se më 18 gusht 2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve të këtij aeroporti, në pjesën ku ishte bërë monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të akuzuarit Gurguri dhe Bujupi nuk e kishin monitoruar punën e pajisjeve në monitor, ndërsa Xhekaj nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.

Për shkak të këtyre mosveprimeve, thuhet se valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të operatorëve X-Ray.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Biserov-Alekov, si mbikëqyrës i pajisjeve që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kishin ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar trakën që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili hyn në funksion vetëm në rastet rezervë.

Kështu, aktakuza thotë se 99 bagazhe kishin kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të akuzuarit Biserov-Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuara dhe po ashtu ishin ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara, të cilat ishte dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray.

Katër të akuzuarit me këto veprime, sipas Prokurorisë, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Prokuroria katër të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.